Bota

Trump riemërton Pentagonin si ‘Departamenti i Luftës’: Është emër më i përshtatshëm duke parë gjendjen e botës sot

6 Shtator, 08:07| Përditesimi: 6 Shtator, 15:44

  • Share

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv për të riemërtuar zyrtarisht Pentagonin si “Departamenti i Luftës”, duke deklaruar se ky është një emër më “i përshtatshëm” për situatën aktuale globale.

“Besoj se është një emër shumë më i qëlluar, veçanërisht duke parë se në çfarë gjendje ndodhet bota sot. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme në botë,” deklaroi Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, përpara se të firmoste urdhrin.

Urdhri u jep autorizim Sekretarit të Mbrojtjes, Departamentit të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të varur prej tij të përdorin tituj dytësorë si “Sekretar Lufte”, “Departamenti i Luftës” dhe “Zëvendës Sekretar Lufte” në dokumentet zyrtare, komunikimet publike, kontekste ceremoniale dhe dokumente jo të bazuara në ligj brenda ekzekutivit. Zbatimi i këtij urdhri ka nisur menjëherë.

Në Pentagon, tabela jashtë zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, u zëvendësua, ndërsa uebfaqja zyrtare e departamentit pësoi një ndryshim të rëndësishëm, nga defense.gov në war.gov, ku në krye figuron emërtimi “Departamenti i Luftës i SHBA-së”.

Gjatë nënshkrimit të urdhrit, Hegseth theksoi se ky ndryshim nuk ka të bëjë vetëm me një riemërtim simbolik.

“Nuk është thjesht një ndryshim emri, është një rikthim në thelbin tonë. Ushtria jonë nuk do të mbrohet vetëm, por do të kalojë në ofensivë. Ne do të rrisim luftëtarë, jo vetëm mbrojtës.”

Urdhri gjithashtu udhëzon të gjitha departamentet dhe agjencitë ekzekutive që të njohin dhe përdorin titujt e rinj në komunikimet e tyre të brendshme dhe të jashtme.

Sekretari Hegseth është gjithashtu i ngarkuar të paraqesë rekomandime për hapa ligjorë dhe ekzekutivë që do të çojnë në riemërtimin e përhershëm të Departamentit të Mbrojtjes në Departamentin e Luftës.

Megjithëse dokumenti zyrtar pranon se për të bërë ndryshimin të përhershëm do të nevojitet miratimi i Kongresit, Trump u shpreh i paqartë për këtë.

“Nuk e di, por do ta zbulojmë. Nuk jam i sigurt nëse do të jetë e nevojshme,” tha ai.

Kjo është hera e parë që emri i departamentit ndryshohet që prej vitit 1949, kur Presidenti Harry Truman organizoi një reformë të gjerë ushtarake dhe e quajti strukturën e re të bashkuar “Departamenti i Mbrojtjes”. Më parë, Departamenti i Luftës kishte ekzistuar që nga themelimi i tij nga Presidenti George Washington.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?