SHBA - Donald Trump ka deklaruar se është duke u organizuar një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi konfliktin në Ukrainë. Trump, presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, nuk specifikoi një datë për takimin, por theksoi se dëshira për bisedime vjen nga vetë Putini.
“Ai dëshiron të takohem dhe ne po e vendosim atë,” tha Trump gjatë një fjalimi në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida.
Nga ana tjetër, Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, deklaroi se ende nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga SHBA-të për një takim të tillë.
Trump ka premtuar të angazhohet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë menjëherë pas marrjes së detyrës më 20 janar. Ai ka shprehur skepticizëm ndaj mbështetjes ushtarake dhe financiare që SHBA-të i ofrojnë Ukrainës, duke theksuar se konflikti është një “rrëmujë e përgjakshme” që duhet zgjidhur.
Në këtë kuadër, Trump ka emëruar Keith Kellogg, një ish-gjeneral dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë. Kellogg ka propozuar një plan që ndërlidh ndihmën e mëtejshme për Ukrainën me pjesëmarrjen e saj në bisedime paqeje me Moskën, por gjithashtu sugjeron vazhdimin e ndihmës në rast se Moska refuzon negociatat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, ka shprehur optimizëm për përfundimin më të shpejtë të luftës nën udhëheqjen e tij. Ai përmendi një “shkëmbim konstruktiv” gjatë një bisede telefonike me Trump, por nuk dha detaje mbi kërkesat apo propozimet konkrete të presidentit të zgjedhur.