Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka shkarkuar nga detyra nga guvernatoren e Rezervës Federale, Lisa Cook, duke e përshkallëzuar ndjeshëm betejën e tij me bankën qendrore amerikane. Ai tha se kishte “arsye të mjaftueshme” për të besuar se Cook kishte dhënë deklarata të rreme në marrëveshje hipotekash dhe citoi kompetenca kushtetuese që, sipas tij, i japin të drejtë ta shkarkojë.
Në kundërpërgjigje, Cook tha se Trump nuk ka autoritet ligjor ta shkarkojë dhe se nuk do të japë dorëheqjen. Ky është një veprim i paprecedentë, pasi asnjë president nuk ka shkarkuar më parë një anëtar të drejtuesve të bankës qendrore. Vendimi vjen në një kohë kur Trump ka shtuar presionin mbi Fed, veçanërisht mbi kryetarin Jerome Powell, për atë që ai e sheh si mungesë vullneti për të ulur normat e interesit.
Cook është një nga shtatë anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Fed dhe si e tillë merr pjesë në komitetin prej 12 anëtarësh që përcakton normat e interesit në SHBA. Ajo u emërua në vitin 2022 nga paraardhësi i Trump, demokrati Joe Biden, dhe është gruaja e parë afro-amerikane që mban këtë post.
Vendimi i Trump pritet të ngrejë pyetje të forta ligjore, me ekspertët që sugjerojnë se Shtëpia e Bardhë do të duhet të provojë, ndoshta edhe në gjykatë, se kishte arsye të mjaftueshme për shkarkimin.
“Presidenti Trump pretendoi të më shkarkonte ‘për shkaqe ligjore’, kur asnjë shkak nuk ekziston sipas ligjit dhe ai nuk ka autoritet për ta bërë këtë”, tha Cook në një deklaratë. “Nuk do të jap dorëheqjen. Do të vazhdoj të kryej detyrat e mia për të ndihmuar ekonominë amerikane ashtu siç kam bërë që prej vitit 2022.”
Avokati i saj, Abbe David Lowell, theksoi: “Do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të parandaluar këtë përpjekje të paligjshme të Trump.” Deri tani, Rezerva Federale nuk ka komentuar mbi njoftimin e presidentit, i cili u bë të hënën vonë përmes platformës së tij Truth Social.
Trump publikoi edhe një letër drejtuar Cook, ku e informonte për shkarkimin e menjëhershëm nga Bordi i Guvernatorëve të Fed. Ai ka hedhur disa herë idenë e shkarkimit edhe të Powell.
Në letrën e tij, Trump akuzon Cook se ka nënshkruar një dokument duke deklaruar se një pronë në Miçigan do të ishte rezidenca e saj kryesore për një vit. Dy javë më vonë, sipas presidentit, ajo ka nënshkruar një dokument tjetër për një pronë në Gjeorgji, duke deklaruar po ashtu se do të ishte rezidenca e saj kryesore.
“Është e paimagjinueshme që ju të mos ishit e vetëdijshme për zotimin e parë kur keni bërë të dytin,” shkruan Trump.
Javën e kaluar, ai kishte kërkuar dorëheqjen e saj për këtë çështje, që u ngrit fillimisht nga Bill Pulte, një aleat i Trump dhe rregullator i financimit të banesave, i cili i dërgoi një letër prokurores së përgjithshme Pam Bondi. Në këtë letër ai e cilësonte çështjen si një “referim penal” dhe kërkonte hetim nga Departamenti i Drejtësisë. Ende nuk është e qartë nëse është hapur ndonjë hetim.
Cook i tha BBC-së javën e kaluar se për akuzat kishte mësuar nga media dhe se ato lidhen me një aplikim për kredi hipotekare që kishte bërë katër vite më parë, përpara se të niste punë nëbankën qendrore. “Nuk kam asnjë synim të detyrohem të jap dorëheqjen për shkak të disa pyetjeve të ngritura në një postim në Twitter,” tha ajo. “Por i marr seriozisht pyetjet për historikun tim financiar si anëtare e Fed dhe po mbledh informacionin e saktë për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje legjitime.”
Nëse Cook ose vetë Fed kundërshtojnë vendimin e Trump, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të shkaktojë një përplasje të drejtpërdrejtë mes Shtëpisë së Bardhë dhe bankës qendrore, e cila fitoi pavarësinë nga qeveria amerikane në vitin 1951.
Trump ka treguar armiqësi të hapur ndaj Powell, duke e quajtur atë “budallaqe kokëfortë” dhe “tru bosh”, pasi nuk mbështeti thirrjet e tij për ulje të shpejtë e të mëdha të normave të interesit. Megjithatë, javën e kaluar Powell dha sinjale se në shtator mund të ketë një ulje të normave të interesit. Ajo, duke folur para bankierëve qendrorë në Jackson Hole të Wyoming, theksoi se efektet inflacioniste të tarifave të Trump mund të jenë vetëm të përkohshme.
Të martën, dollari amerikan u dobësua kundrejt valutave kryesore në tregjet aziatike, pasi investitorët parashikuan se zëvendësuesi i Cook mund të shtyjë për më shumë ulje të normave të interesit.
“Pyetja kyçe për tregjet është nëse Trump arrin ta zëvendësojë Cook, a do të mund të riformësojë ai përbërjen e Fed dhe si do të ndikojë kjo në perceptimin e investueshmërisë së SHBA-ve?”, tha Julia Lee, drejtore e mbulimit të klientëve për FTSE Russell, për BBC.
Shoki Omori, kryestrateg në bankën japoneze Mizuho, shprehu shqetësim për presionin që Trump ka ushtruar mbi Powell javët e fundit: “Powell për momentin duket se po reziston, por kushdo që vjen pas tij mund të ndjekë thjesht çfarëdo që dëshiron Shtëpia e Bardhë. Nuk duket mirë.”/BBC
Komente
