Presidenti Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj fitores së socialistit demokrat Zohran Mamdani në garën për kandidatin zyrtar të Partisë Demokratike për kryebashkiak të Nju Jorkut, duke e quajtur atë “një lunatik 100% komunist” dhe “katastrofë për Amerikën.”
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, gjatë kthimit nga Haga ku mori pjesë në samitin e NATO-s, Trump tha se fitorja e Mamdanit përfaqëson një kthesë të rrezikshme për të majtën ekstreme amerikane.
“Ndodhi më në fund, demokratët e kanë kaluar kufirin. Kemi pasur më parë ekstremistë të majtë, por kjo po bëhet paksa qesharake. Ai duket KATRASTROFIK, zëri i tij shqetësues, nuk është shumë i zgjuar, ka mbështetjen e AOC+3, budallenj TË GJITHË, dhe madje edhe senatori ynë i madh palestinez, qaramani Chuck Schumer, po i nënshtrohet atij.”, shkroi Trump.
Ai shtoi:
“Po, ky është një moment i madh në historinë e vendit tonë!”
Në një postim të dytë ironik, Trump propozoi që Partia Demokratike të nominojë kongresisten Jasmine Crockett për presidente dhe “AOC+3” si zëvendëspresidente, duke i quajtur të gjitha “me IQ të ulët.”
Fitorja e Mamdanit ka ngjallur jo vetëm polemika nga republikanët, por edhe kritika të forta brenda vetë kampit demokrat.
Deputetja demokrate Laura Gillen e cilësoi Mamdanin si “shumë ekstrem për të udhëhequr Nju Jorkun.”
“E gjithë fushata e tij është ndërtuar mbi premtime të paarritshme dhe taksa më të larta, gjë që është gjëja e fundit që Nju Jorku ka nevojë,” tha ajo.
Gillen gjithashtu e akuzoi Mamdanin për qëndrime antisemitike:
“Z. Mamdani ka kërkuar uljen e buxhetit për policinë dhe ka treguar një model shqetësues të komentimeve antisemitike të papranueshme, të cilat ushqejnë urrejtjen në një kohë kur antisemitizmi po rritet me shpejtësi.”
Në të njëjtën linjë, kongresmeni demokrat Tom Suozzi deklaroi se kishte “shqetësime serioze” për kandidaturën e Mamdanit edhe para fitores së tij:
“Kjo është një nga arsyet që unë mbështeta kundërshtarin e tij. Këto shqetësime mbeten.”/Foxnews
Komente
