Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në rrjetin social Truth Social se Kanadaja ka shprehur interes për t’u bërë pjesë e projektit të mbrojtjes nga raketat, të quajtur 'Kupola e Artë', një sistem që pritet të kushtojë rreth 175 miliardë dollarë dhe të ndërtohet brenda tre viteve.
Trump shtoi se Kanadaja po shqyrton propozimin e tij që të kontribuojë me 61 miliardë dollarë nëse do të përfshihet në këtë projekt. Trump shtoi se nëse fqinji verior do ta përfitojë falas “Kupolën e Artë” duhet të bëhet “shteti i 51-të i SHBA-së.
Këto deklarata vijnë në një klimë të tensionuar të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht pasi kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, prezantoi planet për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtës me Bashkimin Evropian. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin Kanadez, Mbreti Charles III theksoi rëndësinë e sovranitetit të vendit duke u shprehur:
“Një Kanada e sigurt mund të japë shumë më tepër sesa çdo fuqi e huaj mund të na marrë ndonjëherë.”
Presidenti Trump, ka shfaqur vazhdimisht aspirata për aneksimin e Kanadasë dhe e ka kërcënuar atë me masa ekonomike. Ndërkohë, kryeministri Carney, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në fillim të muajit maj, e ka bërë të qartë se Kanadaja nuk ka asnjë interes për t’u bërë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, raporton Reuters.
Në një postim në platformën X, Carney ndau një pjesë nga fjalimi i mbretit britanik, duke shtuar citimin simbolik:
“Veriu i Vërtetë është i fortë dhe i lirë.”
Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë kanadeze kanë konfirmuar se po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes në sistemin mbrojtës të propozuar nga Trump, por nuk kanë dhënë ende një vendim përfundimtar. Zyra e Kryeministrit të Kanadasë nuk ka komentuar publikisht lidhur me postimin e fundit të presidentit Trump.
Komente
