Vetëm pak orë pasi Kryeministri indian Narendra Modi takoi presidentin e Kinës Xi dhe presidentin e Rusisë Putin në kuadër të Samitit të Sigurisë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump përmes një postimi në Truth u shpreh se SHBA-të kanë një marrëdhënie tregtare "të njëanshme" me Indinë.
“Ajo që pak njerëz e kuptojnë është se ne bëjmë shumë pak biznes me Indinë, por ata bëjnë një sasi të jashtëzakonshme biznesi me ne. Me fjalë të tjera, ata na shesin sasi të mëdha mallrash, ‘klientin’ e tyre më të madh, por ne u shesim shumë pak atyre - deri më tani një marrëdhënie krejtësisht e njëanshme, dhe kështu ka qenë për shumë dekada”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Trump nënvizoi se tarifat doganore të larta të vendosura nga India i kanë penguar bizneset amerikane të shesin mallra atje, duke rezultuar në atë që ai e quajti një "katastrofë krejtësisht të njëanshme".
Trump vuri në dukje gjithashtu se India blen shumicën e naftës dhe produkteve ushtarake nga Rusia dhe shumë pak nga SHBA-ja.
Presidenti amerikan shtoi më tej se India tani është ofruar të ulë tarifat e saj doganore në zero, por për të ky veprim është shumë vonë.
“Tani ata kanë ofruar të ulin tarifat e tyre doganore në zero, por është vonë. Duhet ta kishin bërë këtë vite më parë. Janë vetëm disa fakte të thjeshta që njerëzit të mendojnë”, përfundoi Trump.
Foto: Postimi i Donald Trump në Truth
Komente
