Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur masa të reja tregtare, duke rritur në 50% tarifat doganore mbi importet e bakrit dhe produkteve me përmbajtje të lartë bakri nga të gjitha vendet.
Brazilit i vendosen gjithashtu tarifa shtesë 40%, duke e çuar nivelin total në 50%, me arsyetimin se veprimet e qeverisë braziliane “përbëjnë kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe ekonominë e SHBA-së”.
Ndërkohë, India do të përballet me një tarifë prej 25% dhe një dënim shtesë, për shkak të blerjeve të saj të naftës dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia, të cilat, sipas Trumpit, ndihmojnë Moskën në luftën e saj në Ukrainë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se India “është miku ynë”, por shtoi se “tarifat e saj janë shumë të larta” për produktet amerikane.
Sipas tij, India blen pajisje ushtarake dhe naftë nga Rusia – veprime që, sipas Trumpit, e ndihmojnë Rusinë të vazhdojë luftën në Ukrainë. Për këtë arsye, ai tha se nga e premtja do të nisë zbatimin e një “dënimi” shtesë si pjesë e rishikimit të sistemit tarifor të administratës së tij ndaj disa vendeve.
Vendimet e mësiperme vijnë pas disa marrëveshjeve tregtare të negociuara me Bashkimin Evropian, Japoninë, Filipinet dhe Indonezinë – që Trump i cilësoi si hapa për hapjen e tregjeve për mallrat amerikane dhe për mundësinë që SHBA-ja të rrisë normat tatimore mbi importet.
Trump e konsideron të ardhurat nga tarifat si një mënyrë për të kompensuar rritjen e deficitit buxhetor të shkaktuar nga uljet e taksave mbi të ardhurat, si dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në prodhimin vendor.
Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të SHBA-së, vitin e kaluar SHBA kishte një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë, që do të thotë se kishte importuar më shumë se sa kishte eksportuar.
India, me një popullsi prej mbi 1.4 miliardë banorësh, është vendi më i madh në botë dhe shihet si një kundërpeshë e mundshme gjeopolitike ndaj Kinës. Nju Delhi ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe nuk i ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Në shkurt, gjatë një takimi me kryeministrin indian, Narendra Modi, Trump kishte deklaruar se India do të fillonte të blinte naftë dhe gaz natyror amerikan.
Komente
