Përralla e Ezopit është e shekullit të gjashtë para Krishtit, por ruan gjithë aktualitetin e saj edhe në botën hiperteknologjike të shekullit 21.
Vështirë të thuash, mes Donald Trump-it dhe Elon Musk-ut, kush është bretkosa dhe kush akrepi që e pickon duke shkaktuar vdekjen e të dyve: reagimi i ashpër kundër një ish-miku, kalimi rrufeshëm nga deklaratat e dashurisë te urrejtja, ajo përzierje arrogance, narcisizmi dhe ndjesie të gjithëfuqishme që i shtyn në një përshkallëzim kërcënimesh të ndërsjella pa kufij, mund t’i bëjnë shumë dëm presidentit të Shteteve të Bashkuara, por mund të çojnë edhe në rrëzimin e perandorisë industriale të njeriut më të pasur në botë.
Steve Bannon, armiku i betuar i Musk-ut dhe një nga fanatikët e krahut tradicionalist të MAGA-s, ka shkuar aq larg sa të kërkojë dëbimin e tij nga Shtetet e Bashkuara. E quan emigrant të paligjshëm dhe propozon konfiskimin e kompanive të tij teknologjike që furnizojnë produkte dhe shërbime për qeverinë dhe ushtrinë amerikane.
Transformimi i menjëhershëm i një bashkëjetese që gjithmonë ka qenë plot të panjohura në një spirale të bullizmit verbal, e përshpejtuar nga ritmi marramendës i rrjeteve sociale, mund të ketë pasoja serioze për vetë Amerikën – e cila tashmë përballet me luftëra, marrëdhënie të tensionuara me Kinën dhe konflikte ekonomike që shpeshherë nxisin edhe vetë Shtëpia e Bardhë – ndërkohë që në urën e komandës është krijuar kaos nga përplasja ndërmjet presidentit dhe kapitalistit më të rëndësishëm e sipërmarrësit më të fuqishëm të vendit.
Po shtohen thirrjet për një “armëpushim”, por me akuzat e egra që i kanë drejtuar njëri-tjetrit – veçanërisht ato të Musk-ut – duket se të dy e kanë kaluar një “vijë pa kthim”.
Çfarë mund t’i bëjë Musk Trump-it?
Në teori, Musk ka në dorë një pushtet të jashtëzakonshëm industrial dhe ushtarak: raketa, anije hapësinore, satelitë spiunë, satelitët e komunikimit Starlink dhe të tjera akoma. Por ai nuk mund t’i tërheqë menjëherë teknologjitë e sigurisë që ia ka ofruar Pentagonit apo shërbimeve sekrete. Në këtë rast, do t’i merrej kontrolli i këtyre sistemeve për arsye sigurie kombëtare.
Dhe në fakt, mbrëmë ai u tërhoq menjëherë nga kërcënimi për të “çaktivizuar” anijet hapësinore Dragon të SpaceX-it: aktualisht i vetmi mjet amerikan që mund të arrijë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për të transportuar astronautë dhe materiale amerikane.
Por nëse Trump do të ndërmerrte veprime si konfiskimi, zhvillimet e mëtejshme teknologjike të SpaceX, Starlink, Tesla dhe kompanive të tjera të Musk-ut do të bllokoheshin me siguri.
Për momentin, gjithsesi, Musk përbën për Trump-in dhe republikanët një kërcënim më shumë politik: jo vetëm që nuk do të financojë më fushatat zgjedhore të MAGA-s, por tani kërcënon se do të sulmojë publikisht ata republikanë që votojnë një ligj buxheti të cilin ai e konsideron katastrofik. Madje shkon më tej: kërcënon të krijojë një parti të re me qëllimin për të zëvendësuar Partinë Republikane.
Duke ripostuar një tweet të një ndjekësi të tij që propozon “impeachment”-in (shkarkimin), ai duket se synon ta heqë nga skena presidentin, të cilin e sulmon edhe në planin etik: pretendon se ka prova për një marrëdhënie të ngushtë të Trump-it me Jeffrey Epstein, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019 pas dënimeve për abuzim seksual dhe trafik të miturësh.
Sipas Musk-ut, dokumentet për çështjen që Trump kishte premtuar se do t’i bënte publike vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura në sirtarët e Departamentit të Drejtësisë pikërisht sepse përmbajnë prova të përfshirjes së presidentit.
Në SHBA, përpjekjet për të dalë nga sistemi dy-partiak gjithmonë kanë dështuar, dhe deri më tani, Donald Trump ka dalë pa pasoja nga skandalet seksuale ku është përfshirë. Vështirë që Musk të mund të përmbysë këtë realitet. Por ai mund të nxisë pakënaqësinë e një pjese të botës konservatore që deri tani ka mbajtur përbrenda acarimin për sjelljet e presidentit.
Sa i përket çështjes Epstein, ajo u rihap nga gazetari dhe shkrimtari Michael Wolff, i cili në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar publikoi regjistrimet e intervistave të vitit 2017, ku rekrutuesi dhe shfrytëzuesi i vajzave të mitura tregonte për miqësinë e ngushtë që kishte pasur në rininë e tij me Trump-in dhe për fluturimet me avionin e tij privat, të pagëzuar “Lolita Express” – fluturime që Trump i ka mohuar gjithmonë.
Në nëntor, regjistrimet e Wolff-it u hodhën poshtë nga fushata e Trump-it si ndërhyrje elektorale dhe u lanë në harresë. Tani mund të rikthehen në qendër të vëmendjes: dje tashmë qarkullonin në rrjet video të paraqitjeve publike të Trump-it në shoqërinë e Epstein-it. Dhe Musk pohon se ka në dorë shumë materiale të tjera shpërthyese.
Pra, edhe pse Musk nuk mund ta rrëzojë presidentin, mund ta dëmtojë rëndë dhe të ushqejë një valë pakënaqësie që mund t’u kushtojë republikanëve një humbje në zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Çfarë mund t’i bëjë Trump Musk-ut?
Por Trump mund t’i bëjë shumë më shumë dëm Musk-ut, sidomos nëse vendos ta çojë deri në fund përdorimin e mjeteve të paligjshme që tashmë i ka vënë në përdorim kundër armiqve të tij: mjafton të kujtojmë shkarkimet nga puna dhe hetimet e nisura nga Departamenti i Drejtësisë kundër zyrtarëve të administratës së parë Trump që u distancuan pas sulmit ndaj Kongresit më 6 janar 2021.
Presidenti ka kërcënuar se do t’i anulojë kontratat me kompanitë e Musk-ut: është një gjë e pakuptimtë dhe nuk do ta bëjë, sepse – të paktën në fushën e sigurisë dhe hapësirës – produktet dhe shërbimet e Musk-ut janë më të avancuarat dhe shpesh nuk kanë alternativa të vlefshme.
Por Trump mund të krijojë probleme të mëdha për kompanitë e ish-mikut të tij jo vetëm duke hequr stimujt për makinat elektrike, por edhe duke vendosur rregulla dhe kufizime të reja ligjore që do të ngadalësonin zhvillimin dhe testimin e teknologjive të reja inovative: ndalim të robotaksive ose ngadalësim të lëshimeve të anijeve Starship duke i paraqitur si të rrezikshme apo ndotëse.
Rëndësia e teknologjive të tij për sigurinë, në vend që të jetë një avantazh për Musk-un, mund të kthehet në thembrën e tij të Akilit: konfiskimi i kompanive të tij, siç e kërkon Bannon, duket i pamundur, por nuk përjashtohet plotësisht – do të ishte një përmbysje e bujshme e filozofisë liberale të së djathtës amerikane, por Trump ka gjithashtu një damar populist me nuanca shtetërore.
Nëse do të donte, Trump mund ta fuste Musk-un në telashe ligjore edhe pa përdorur mjete të dyshimta nga pikëpamja ligjore: mund ta akuzonte për shkelje të detyrimeve që burojnë nga “clearance”-i i sigurisë që i është dhënë, për shkak të natyrës sekrete të teknologjive ushtarake që prodhon për Pentagonin. Ky “clearance” i jep privilegjin të ketë qasje pothuajse kudo, por i imponon edhe detyrime të rrepta, që sipërmarrësi mund t’i ketë shkelur duke përdorur ketaminë dhe substanca të tjera narkotike, apo duke mos raportuar kontaktet që mund të ketë pasur me personazhe “të ndjeshëm” nga këndvështrimi i sigurisë (bisedat me Putinin të mohuara nga Musk, por të konfirmuara nga Kremlini).
Për të mos përmendur dyshimin se sipërmarrësi – i cili ka interesa të mëdha në Kinë, ku ka ndërtuar fabrikën më të madhe të Teslës – mund t’i ketë kërkuar Pentagonit një raport mbi planet ushtarake amerikane në rast lufte me gjigantin aziatik.
Edhe po të ishte lënë mënjanë në mënyrë brutale, Musk mund të kishte shprehur pakënaqësinë e tij në mënyrë të përmbajtur. Por Trump duhej ta kishte kuptuar që në fillim se po lidhej me një personazh që di të përdorë për mrekulli pedalin e gazit, por nuk e di fare ku ndodhet frena./ Corriere della Sera
Komente
