Momenti i parë i së vërtetës për rrugën e paqes ka ndodhur në samitin mes shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve evropiane të gatshme dhe atij amerikan. U takon këtyre gjeneralëve të shndërrojnë garancitë e sigurisë në shifra dhe mjete konkrete, duke hartuar një plan që qeveritë do t’ia dorëzojnë Zelenskyt. Presidenti ukrainas ka kërkuar t’i ketë në dorë propozimet përpara takimit me Putinin: dëshiron të kuptojë sa i fortë është angazhimi i partnerëve, pa të cilin nuk synon të diskutojë për dorëzimin e territoreve.
Bëhet fjalë për një kornizë të ndryshueshme, për të pasur më shumë karta për të vënë mbi tavolinën e negociatave. Qëndrimi i Rusisë është kategorik: "Prania në Ukrainë e një kontingjenti ushtarak me pjesëmarrjen e vendeve të NATO-s mund të sjellë një përshkallëzim të pakontrollueshëm të konfliktit". Kjo është pikënisja, e cila e gjen sekretarin e përgjithshëm të Aleancës, Rutte, në një vijë krejt të kundërt: vetëm “boots on the ground” (këmbësoria në terren) do të dijë të mbrojë Kievin.
Për këtë arsye, dhe gjithashtu për të dëshmuar vendosmërinë në mbështetje të Zelenskyt, po përgatitet një dislokim i koduar “Strong”. Në versionet e diskutuara pranverën e kaluar u parashikua një forcë e konsiderueshme: tre brigada, me tanke dhe artileri, gati për të mbrojtur objektivat kryesore të një agresioni, pra Kievin, Kharkivin dhe Sumyn. Në paketë do të përfshihej edhe një repart instruktorësh për rekrutët ukrainas.
Shumë janë skeptikë dhe nuk besojnë se Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë në gjendje të konkretizojnë task-forcën. Nevojiten mes 15 dhe 20 mijë ushtarë, që do të ndërrohen çdo katër muaj për një total prej 60-80 mijë në vit. Tre ushtritë megjithatë kanë mbetur të vogla – që prej vitit 2022 askush nuk ka rritur efektivat – dhe duhet të plotësojnë edhe detyrime të tjera, si ekspeditat ndërkombëtare dhe sidomos misionet e NATO-s në frontin lindor, të dyfishuara pas pushtimit të Ukrainës.
Përveç kësaj ka mungesë tankesh moderne dhe deficit dronësh. Madje edhe Londra duket e lëkundur, me sekretarin e Mbrojtjes John Healey që gjashtë ditë më parë u shpreh i gatshëm për ndërhyrje, ndërsa dje admirali Tony Radakin – sipas Guardian – foli për ta kufizuar dërgimin në anije dhe avionë jashtë kufijve të Ukrainës.
Parisi dhe Berlini shpresojnë jo vetëm të bindin britanikët, por edhe të përfshijnë vende të tjera. Holanda, Norvegjia dhe Danimarka: kancelaritë do të shprehen pasi të kenë shqyrtuar projektet përfundimtare. Përjashtohet megjithatë një rol i vendeve që kufizohen me Rusinë. Italia – siç e përsëriti dje në Repubblica ministri Guido Crosetto – nuk do të dërgojë trupa në territorin ukrainas: fillimisht ishte marrë në konsideratë një kontribut prej dy-tre mijë ushtarësh, por linja e konsoliduar nga qeveria Meloni është e prerë.
Këto vështirësi, përveç kundërshtimit të pritshëm të Moskës, kanë bërë të mendohet edhe për një variant “Medium” që të përdoret gjatë bisedimeve me Putinin. Në Ukrainë vetëm dy brigada të lehta, pa tanke dhe maksimumi me autoblinda, të vendosura në rajonin e Lvivit, më larg nga rusët, dhe një brigadë e tretë e blinduar në Poloni, e hapur për të pranuar holandezë, norvegjezë, danezë ose italianë.
Niveli i tretë, “Light”, nëse vetoja e Kremlinit nuk hiqet, do të zhvendoste tre brigadat e blinduara në Poloni, duke i mbajtur pranë kufirit. Për të mos humbur imazhin, megjithatë, do të insistohej për dërgimin në Ukrainë të instruktorëve për të trajnuar forcat e Kievit.
Më e lehtë është të organizohet një skuadër detare që nga baza rumune e Konstancës të mbikëqyrë tregtinë jetike të Odesës: pak anije të specializuara në luftën anti-nëndetëse dhe në mbrojtjen kundërajrore, së bashku me gjuajtës minash për pastrimin e Detit të Zi, duke qëndruar në ujëra ndërkombëtare.
Risia më e madhe në krahasim me diskutimet e pranverës është hapja e Donald Trump, i gatshëm të ofrojë mbulim ajror për vullnetarët e Kontinentit të vjetër dhe të mbrojë nga qielli pavarësinë e Ukrainës. Nga pikëpamja thelbësore, skuadriljet e F-35 amerikane në Poloni dhe Rumani do të ishin mjeti më i fortë pengues ndaj çdo tundimi rus. Përveç avionëve radar, ato mund të shoqëroheshin nga gjuajtës evropianë dhe të garantonin epërsi ajrore mbi të gjithë Ukrainën: forcat ajrore të Moskës sot nuk duken në gjendje t’i sfidojnë. Ndërhyrja e tyre – ashtu si edhe e kontingjenteve të tjera – do të rregullohej nga traktati i frymëzuar në nenin 5 të NATO-s.
Kushtet e këtij marrëveshjeje marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe: çfarë do ta bëjë të hyjë në veprim forcat e garancisë? Nga Somalia te Bosnja e deri në Afganistan, rregullat e angazhimit kanë qenë dilema e çdo misioni ndërkombëtar dhe qeveria ukrainase kërkon që ato të jenë të qarta, pa klauzola që mund të minojnë kupolën mbrojtëse në kohë nevoje./La Repubblica
Komente
