T’u rrëfesh fëmijëve diktaturën përmes letërsisë! ‘Lotët e Marit’ e brengat e mësuesit-shkrimtar që punoi 13 vjet në Prell të Matit

12 Gusht 2022, 16:41| Përditesimi: 12 Gusht 2022, 16:52

  • Share

Nga Prelli i Matit, ku punoi për 13 vjet si mësues, historitë e nxënësve të tij, që u penalizuan në diktaturë, pa pasur asnjë faj e kanë brejtur shkrimtarin Fatmir Gjestila ndër vite. Talente të shtypura, fate të kryqëzuara në internim a më keq, apo edhe vetë ëndrrat e tij të mohuara si shkrimtar për të ngjyer bojën në lirizëm, janë një realitet i hidhur, copëza të së cilit shkrihen përmes letërsisë në ‘Lotët e Marit’.

“Më ka ngacmuar vit pas viti ideja që përveçëse në tregime të ndryshme që e kam trajtuar këtë temë, ta kisha edhe tek ‘Lotët e Marit’”, rrëfen shkrimtari Fatmir Gjestila.

Qendra e Librit dhe Leximit, e ka përzgjedhur dorëshkrimin ‘Lotët e Marit’ si një nga tre fituesit e Fondit Letrar për Fëmijë për këtë vit, e pritet t’ia çojë lexuesit në mbi 500 kopje. Protagonistin Mari e rimerr prej romanit “E fshehta e Kështjellës së zezë” për të ngacmuar tek vogëlushët memorien historike të një gjysmë shekulli diktaturë. Lexuesit i vijnë në ndihmë ilustrimet e të birit Mariglenit, i cili kthen në imazh mendimin letrar të të atit prej një dekade e gjysmë...

“Padyshim nëse do të vihej thjesht me tregimin e shumë aspekteve të mungesës së lirisë në atë kohë dhe  vetëm kaq, atëhere nuk do të kishim të bënim me letërsi. Qëllimi në vetvete është pesha psikologjike që binte mbi fëmijët e asaj moshe dhe reagimet që ata përshfaqnin. Pyetjet që shtronin: Pse?! Çfar?! Përse kështu?”...

Mësues mbi 35 vjet e autor i afro 25 botimeve për fëmijë, Gjestila thotë se të jetosh përmes librit, do të qe një sfidë më vete. Por, për të letërsia është kthyer në një mënyrë jetese e s’mund të bëjë ndryshe.

“Vazhdimin e punës së tij krijuese një shkrimtar e mbështet tek pasioni, tek të pamundurit e qëndrimit të tij pa shkruar”, shprehet Gjestila.

E njeh mirë rëndësinë e letërsisë për fëmijë në formimin e brezit të ri. Ndaj ndërgjegjësimin e kërkon së pari tek kolegët e tij.

“Punën e parë duhet ta bëjmë ne mësuesit. Madje unë bëj edhe pyetjen, po ne mësuesit, a lexojmë?!”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?