VIDEO/ ‘Të çon avion’, tullumbacja me azot reklamohet në rrjetet sociale! 'Sheiku i Durrësit': Blini bombolën për 90 mijë lekë të vjetra

22 Shtator 2023, 12:14| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 15:22

  • Share

TIRANË-  Të rinjtë e njohin si “Sheiku i Durrësit” nëpër rrjetet sociale, por emri i tij i vërtetë është Arjan Toçi. 21-vjeçari është i pari që vihet në pranga në atë që njihet si “lufta” kundër oksidit të azotit, substancës së rrezikshme që po tregtohet nëpër lokalet e Tiranës dhe po dëmton të rinjtë. I riu, në kanalin e tij në TikTok reklamoi një bombol oksidi azoti dhe u kërkon ndjekësve ta blejnë që të mos shpenzojnë shumë me 1 tullumbace që kushton 300 lekë të rinj në lokale. Sipas tij, produkti që shet “të çon avion”.

"Përshëndetje, si jeni? Sot kam marrë një bombol tek tullumbace. Do ta bëj tag aty. Kushton 90 mijë lekë, mund të mbushësh 45 tullumbace, po të çon shumë avion. Për të gjithë ju që doni bombola, porosisni, më mirë blini bombolën se sa blini 3 mijë lekë një tullumbace", thotë ai në video. 

Por Arjan Toçi e tregton këtë produkt kontrabandë në tabakinon e tij, e cila ndodhet në rrugën "Tre Dëshmorët", në zonën e Yzberishtit. Gjatë aksionin të policisë për arrestimin e 21-vjeçarit, në këtë tabakino u gjetën dhe sekuestruan edhe bombola të tjera, të cilat i riu i kishte futur ilegalisht në doganë dhe pa asnjë dokumentacion. Mbi të rëndon akuza e “tregtimit të mallrave kontrabandë” dhe deri në fund të hetimeve ai rrezikon gjobë ose burgim deri në tre vjet. I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Balla, i cili njoftoi bashkëpunimin mes prokurorisë dhe mjekëve ekspertë për të pasur një klasifikim të saktë të rrisqeve që sjell.

"Përveç kanabisit dhe lëndëve narkotike të tjera, tullumbacja me oksid azoti është substanca e re që po kthehet në trend për të rinjtë në Shqipëri. Sot Policia e Shtetit ka ndaluar persona të përfshirë në futjen e paligjshme të kësaj substance në Shqipëri (jo për qëllime mjekësore). Do të bashkëpunojmë me Prokurorinë për konsultimin e mjekëve ekspertë të fushës për klasifikimin e rrisqeve që sjell kjo lëndë tek shëndeti i të rinjve", shkruan Balla. 

Tashmë, kur po shkohet drejt ndryshimeve në Kodin Penal dhe në ligjin për substancat narkotike, policia po punon për kapjen e oksidit të azotit që hy në mënyrë kontrabandë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 22/09/2023 15:18

    Kjo prerja e ktyre 2 policeve njesoj me sheikun e durrsit per nga floket mjekrra dhe menyra si mban kapelen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ndryshohen drejtorët e policisë në qarqe, do ketë më shumë rend e siguri?