Tundet toka mëngjesin e sotëm! Bie tërmet 4.1 ballë në veri të Ishmit, lëkundjet ndihen në Durrës, Laç e Lezhë! S'ka dëme materiale

6 Dhjetor 2020, 08:34| Përditesimi: 6 Dhjetor 2020, 10:57

  • Share

Mëngjesi i 6 dhjetorit ka shënuar sërish lëkundje sizmike me magnitudë 4.1 ballë në vendin tonë.

Paraprakisht IGJEUM njofton se epiqendra e tërmetit 4.1 ballë ka qenë në detin Adriatik 2 km në veri të Ishmit në Durrës, kurse thellësia ka qenë 11 kilometër.

Ndërsa sipas EMSC tërmeti i rënë ka qenë 4.5. Lëkundjet janë ndjerë në Durrës, Laç, Krujë dhe në Lezhë. Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale nga lëkundjet por qytetarët janë shqetësuar.

Në Durrës qytetarët e kanë përballuar mirë situatën dhe nuk janë panikosur. Në Krujë lëkundjet krijuan panik te banorëtpasi shumë pallate dhe godina të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar vijojnë të jenë në këmbë. Një situatë e ngjashme ka qenë edhe në Lezhë.

Sipas raportimit të Emergjencave Civile dhe ministrisë së Mbrojtjes nga tërmeti deri më tani s'ka asnjë dëmtim të banesave, pallateve, në të gjitha qarqet ku është ndjerë, përfshirë edhe epiqendrën që është Durrësi.

Për Report Tv, sizmiologu Edmond Dushi shpjegoi se këto lëkundje janë proces normal i relaksimi tektonik të tokës pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa iu bëri apel qytetarëve të mos panikosen.

Kujtojmë se 10 ditë më parë, u shënua 1 vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit të kaluar ku humbën jetën 51 persona, mbetën mbi 900 të plagosur, 17 mijë familje të pastreha, pasi toka u dridh nga lëkundje me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, me thellësi 38 km me epiqendër 22 km nga Durrësi dhe 30 km nga Tirana.

Ora 09:53
Tërmeti pa dëme! Qytetarët e Krujës të panikosur, Durrësi dhe Lezha e përballojnë më mirë

Lëkundjet e tërmetit mëngjesin e sotëm në Ishëm të Durrësit, nuk kanë sjellë dëme materiale por kanë shqetësuar qytetarët.

Në Durrës qytetarët e kanë përballuar mirë situatën dhe nuk janë panikosur. Si duket ata janë mësuar me paslëkundjet që kanë shoqëruar vendin tonë që nga tërmeti i fortë i vitit të kaluar. Ndërkaq nuk raportohen dëme materiale në këtë zonë.

Në Krujë lëkundjet krijuan panik te qytetarët pasi shumë pallate dhe godina të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar vijojnë të jenë në këmbë. Fatmirësisht as në këtë zonë nuk pati dëme materiale.

Lëkundjet janë ndierë edhe në Lezhë, por më shumë janë dëgjuar në zonën e Kurbinit. As në këtë zonë s'ka dëme materiale, sipas raportimeve paraprake. Edhe këtu qytetarët janë shqetësuar sepse ka ende godina të dëmtuara nga tërmeti i vitiit të kaluar, por e kanë përballuar mirë situatën.

Ora 09:44
Tërmeti 4.1 ballë, sizmiologu: S'ka nevojë për panik, janë lëkundje të zakonshme! Relaksimi tektonik do të dojë pas 26 nëntorit të kaluar

Tërmeti 4.1 ballë në veri të Ishmit në Durrës nuk ka sjellë asnjë pasojë. Sizmiologu Edmond Dushi ka deklaruar në Report Tv se lëkundjet janë të zakonshme dhe nuk ka nevojë për panik.

Sipas tij relaksimi tektonik i tokës do të dojë shumë kohë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

"Relaksimi tektonik i tokës do të dojë kohë të gjatë. Këto tërmete çojnë dhe tërmetet të moderuar. Është një zonë e konsiderueshme në kuptimin e tektonikave.

Ky tërmet në zonën lokale patjetër që është ndjerë. Është pak i cekët në raport me pasgoditjet. Është një tërmet i moderuar dhe është vijimi i asaj që ka startur në 26 nëntor të 2019.

Mund të ketë dhe shpërthime të kësaj energjie, por smund ta përcaktojmë ku do jetë e rradhës, as kohën dhe as epiqendrën e saj. Ska nevojë për panik te qytetarët, se janë lëkundje të zakonshme", tha ai.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?