Bota

Tunizi/ Goditet me dron një tjetër anije që ishte nisur drejt Gazës, nuk ka të lënduar! Sulmi i dytë brenda pak orësh (VIDEO)

10 Shtator, 08:31| Përditesimi: 10 Shtator, 08:51

  • Share

Dy sabotime për më pak se një ditë. 24 orë pas sulmit ndaj Family, anijes kryesore të delegacionit spanjoll të Global Sumud Flotilla, ku udhëtonin disa anëtarë të komitetit organizator, mes tyre Greta Thunberg, Yasemin Acar dhe Thiago Avila, një tjetër anije e misionit detar humanitar që synon të arrijë në Gaza është goditur me një mjet shpërthyes zjarrvënës.

Goditet Alma, me flamur britanik

Bëhet fjalë për Alma, një anije 33 metra e gjatë me flamur britanik, me një ekuipazh ndërkombëtar në bord. Ashtu si anija kryesore, ndodhej e ankoruar përballë portit të Sidi Bou Said, në pritje të kushteve më të mira atmosferike dhe logjistike për t’u bashkuar me delegacionin italian, që në Sicili priste dritën jeshile për të ngritur spirancën, për t’u bashkuar me delegacionet spanjolle dhe tuniziane dhe së bashku për të bërë rrugën drejt Gazës.

Sulmi u krye nga një dron

“Edhe një herë ishte një dron që hyri në veprim. Kuverta e sipërme u dëmtua nga flakët”, denoncojnë ekuipazhet. “Zjarri u shua shpejt dhe në bord janë të gjithë mirë”, shpjegon Global Sumud Flotilla. Të lehtësuar, sepse sulmi i radhës nuk shkaktoi të lënduar apo më keq. Të zemëruar, sepse kjo është tentativa e dytë për sabotazh brenda pak orësh.

“Unë isha në kuvertë, sapo kisha filluar turnin e natës – rrëfen Cosme, një nga aktivistet e ekuipazhit – dëgjuam një zhurmë të çuditshme që vinte nga Perëndimi dhe kuptuam menjëherë se bëhej fjalë për një dron. E pamë, por me errësirën nuk kuptuam nëse transportonte diçka. Papritur hodhi një mjet shpërthyes dhe flakët shpërthyen në një çast. I shuam menjëherë, të gjithë janë mirë, por ky është sulmi i dytë”. Dhe skenari është identik me atë të sulmit që gjatë natës mes së hënës dhe së martës nxori jashtë përdorimit Family.

“Fluturonte disa metra mbi kokën time”

“Unë e pashë atë dron, ishte më pak se 6 larg meje dhe pesë sekonda më pas hodhi diçka. Flakët, rrëfen një tjetër aktivist, shpërthyen menjëherë. Ne dhamë alarmin për të lajmëruar të gjithë, ndërsa përpiqeshim të shuanim zjarrin”.

Ndërkohë, në mol ishin mbledhur qindra persona, mes tyre miq e familjarë të atyre që presin të hipin në anijet tuniziane që do t’i bashkohen ekspeditës dhe aktivistë që nuk e lënë portin për të ruajtur flotën dhe për ta mbrojtur nga përpjekjet e sabotimit. Por ata nuk mund të bëjnë asgjë kundër kërcënimeve që vijnë nga ajri dhe nga deti.

Dënimi i Global Sumud Flotilla

“Këto sulme ndodhin ndërsa intensifikohet agresioni izraelit në Gaza dhe janë të orkestruara për të shpërqendruar vëmendjen nga ajo që po ndodh atje dhe për të fundosur misionin tonë. Por ne nuk do t’ua lejojmë", shpjegon Flotilla në një shënim të shkurtër. Misioni ynë paqësor dhe jo i dhunshëm, që synon të thyejë rrethimin e paligjshëm ndaj Gazës dhe të tregojë në mënyrë konkrete solidaritetin tonë me palestinezët, nuk ndalet”./La Repubblica

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?