Njëmbëdhjetë pasagjerë janë lënduar në një fluturim të nisur nga Malpensa në Milano për Atlanta në Xhorxhia të SHBA-së.
Ata përfunduan në spital për shkak të turbulencave të forta që përfshinë avionin pak para uljes në pistë.
Avioni ‘Delta Airlines 175’ kishte në bord 151 pasagjerë dhe 14 anëtarë të ekuipazhit.
Fluturimi ishte rreth 40 milje në verilindje të aeroportit Hartsfield-Jackson Atlanta kur ndodhi turbulenca dhe përfundimisht ai u ul i sigurt, sipas Administratës Federale të Aviacionit.
Sipas mediave vendase, të gjithë të plagosurit kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore.