Në Sheshin “Skënderbej”, u çel sot zyrtarisht edicioni i 82-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme sportive të çiklizmit në vend. E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila vlerësoi këtë aktivitet si pjesë të rëndësishme të përpjekjeve për zhvillimin e sportit dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Turi Çiklistik po zhvillohet në Shqipëri dhe ka përkuar menjëherë pas një evenimenti të madh, të Giro d’Italia, ku Shqipëria u fut për herë të parë në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve prestigjioze sportive, me nisjen e madhe që u mbajt në vendin tonë. Ky aktivitet prestigjioz u organizua shkëlqyeshëm edhe falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes Federatës së Çiklizmit, bashkive të Tiranës, Vlorës, Durrësit, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
I organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në këtë aktivitet marrin pjesë krahas ekipeve shqiptare dhe ekipe të huaja nga vendet e Ballkanit, Evropës, etj.
“Në këtë edicion marrin pjesë 98 çiklistë nga 14 ekipe ndërkombëtare, të cilët do të garojnë në 5 bashki të vendit deri më 30 maj. Dua t’ju falenderoj për angazhimin në këtë tur çiklistik të radhës. Është një garë që përfshin jo vetëm sportistë nga vendi ynë, por edhe nga vende të ndryshme të botës”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se mbështetja për sportin është gjithnjë në rritje dhe pjesë e një strategjie afatgjatë.
“Mbështetja për sportin, për infrastrukturën sportive, për të gjitha moshat dhe sportistët elitarë sa vjen dhe po rritet. Në fokusin e punës sonë është rritja e mbështetjes financiare dhe zhvillimi i strategjisë së sportit, që synon të përfshijë sportin në të gjitha moshat, si dhe të mbështesë federatat tona”, shtoi ajo.
Duke përmendur programin e Ekipeve Sportive në Shkolla që përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë në aktivitete sportive në shkolla, Manastirliu u ndal edhe te përfshirja e çiklizmit:
“Jemi duke punuar fort së bashku me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe të gjithë federatat për vijimin dhe zgjerimin e aktiviteteve në shkolla, ashtu sikurse janë edhe ekipet sportive në shkolla, ku tashmë kemi të angazhuar më shumë se 12 mijë fëmijë në disiplinat kryesore: basketboll, volejboll. Duke filluar nga viti i ardhshëm, do të kemi një zgjerim të disiplinave dhe sigurisht edhe çiklizmi është në fokus të gjithë investimeve që ne po bëjmë.”
Në fund të fjalës së saj, Manastirliu theksoi rëndësinë e aktiviteteve të këtij niveli për promovimin e Shqipërisë dhe të vlerave të sportit:
“Është shumë e rëndësishme që aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshijnë sa më shumë bashki. Sporti bashkon, promovon vlerat e përbashkëta dhe turizmin. Jam e bindur që edhe ky tur çiklistik do të promovohet denjësisht falë çiklistëve ndërkombëtarë që marrin pjesë.”
Edicioni i 82-ti i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë përkoi dhe me 100-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Komente
