Dinamo barazoi 1-1 kundër Atletic D'Escaldes dhe falë fitores 1-2 në Andorrë merr një biletë për në turin e tretë kualifikues të Conference League. Ky sukses është historik për "Blutë" e kryeqytetit të cilët shkojnë për herë të parë kaq larg në një turne evropian.
Tanimë përballë ekipit të Ilir Dajës do jenë gjigantët e Hajdukut të Splitit (7 dhe 14 gusht), ekipit kroat që është më i favorizuar në këtë duel. Pas ndeshjes që u zhvillua në "Elbasan Arena", trajneri Ilir Daja komplimentoi lojën e të tijve, teksa shtoi se kalimi më tej me vuajtje të shijon më shumë.
“Ndonjëherë kualifikimi me vuajtje të shijon më shumë. Një ndeshje që do të mbahet mend për kualifikimin historik për Dinamon, sepse për herë të parë kalon në turin e tretë në kompeticionet europiane. Kemi bërë mirë në pjesën e parë, ku mund ta çonim rezultatin që të na jepte një farë qetësie, sidomos me rastin e Mandelës që ishte përballë me portierin.
Pastaj e mori iniciativën kundërshtari, me qarkullimin e topit në zona të parrezikshme, sepse gjuajtjet në portë ishin të pakta. Më shumë sesa goli i barazimit, ishin dy kartona të verdhë të Karambës, një lojtar me vlera, por është vetëm 20 vjeç dhe nuk ka eksperiencë në të tilla kompeticione, sepse nuk kishte pse të bënte dy ndërhyrje të tilla në mesin e fushës.
Vuajtëm, sepse me një lojtar më pak edhe kundërshtari nuk kishte se çfarë të humbte dhe sulmoi me shumë forca. Ne duhet të dilnim nga krahët, sepse aty numri i lojtarëve ishte i barabartë. Ishte një sakrificë e lojtarëve të mi në situatë të vështirë.
E kemi treguar edhe në kampionat, edhe në ndeshjen e kupës po në 20 minutat e fundit kemi pasur të njëjtën situatë. Ndonjëherë sakrifica e djemve shpërblehet dhe ky kualifikim u shkon tifozëve, lojtarëve dhe presidentit Bardhi që ka disa vite që ka investuar dhe sot Dinamo e tij gjendet në turin e tretë të Conference League”, tha Ilir Daja pas ndeshjes.
Komente
