Turistët gjermanë zgjedhin Valbonën në pranverë: Njerëzit janë shumë mikpritës, në Shqipëri kalon pushime të mira

21 Maj 2022, 15:47| Përditesimi: 21 Maj 2022, 15:55

  • Share

Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës. E vizituar kryesisht nga të huaj, panorama në pranverë është mbresëlënëse me kaltërsinë e lumit, jeshillëkun e pyjeve dhe majat e Alpeve mbuluar me dëborë.

Heqja e kufizimeve të pandemisë ka risjellë gjallërinë në fshat. Turistët e huaj, kryesisht gjermanë tregojnë impresionet, por nxjerrin në pah dhe problematikat. 

‘Malet e bukura, ushqimi gjithashtu, lumi i Valbonës këto janë arsyet pse e kemi zgjedhur, por më pas do udhëtojmë në Jug, do vizitojmë Gjirokastrën dhe Butrintin.’- u shpreh një turiste.

‘Ushqimi mund të kishte më shumë variacion, por përgjithësisht po kalojmë pushime të mira në Shqipëri. Edhe njerëzit janë shumë mikpritës.’- u shpreh një burrë.

‘Mendoj se është e rrezikshme kalosh Alpet në këmbë, pasi ka ende dëborë. Dje udhëtuam për tek shpella dhe ishte e vështirë pasi shtigjet nuk janë shënjuar mirë. Po qëndrojmë këtu në fshat për dy ditë e më pas do të shohim Shqipërinë e mesme dhe jugun.’- tha një turiste.

Pronarët e bujtinave thanë se nuk i kanë ndryshuar çmimet për fjetjen dhe ushqimet. Kryebashkiaku i Tropojës sheh me optimizëm sezonin veror.

Vitin e kaluar mbi 123 mijë turistë vizituan Parku Kombëtar të Valbonës, ndërsa në katër mujorin e parë të këtij viti e vizituan mbi 2 mijë  turistë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?