Në zemër të vendit, mes peizazheve të egra dhe të paprekura, shtrihet një nga thesaret më të rralla natyrore të Shqipërisë, Kanionet e Holtës.
Ndodhemi në Kanionin e Holtës një ndër pikat kryesore turistike që vizitohet nga turistë vendas e të huaj. Kjo bukuri natyrore ndodhet në Gramsh, dhe gjatë gjithë vitit numëron rreth 140 mijë vizitorë të cilët vizitojnë jo vetëm kanioni e Holtës por edhe vende të tjera që kjo bashki ofron.
Një destinacion ideal për adhuruesit e aventurës dhe natyrës, Kanionet e Holtës janë kthyer tashmë në një simbol të potencialit të turizmit ekologjik në vend, ndërsa stina e verës, kur natyra është në kulmin e gjallërisë dhe temperaturat e larta i bëjnë ujërat e ftohta edhe më tërheqëse, i kthen kanionet një opsion të preferuar për turistë vendas e të huaj.
"Shqipëria është një vend shumë i bukur, deti është i bukur, peizazhet janë fantastike, malet janë të mrekullueshme. Pra, në përgjithësi, është një përvojë shumë interesante për ne. Pse vendosët të vini në Shqipëri? Sepse edhe Shqipëria për ne është shumë interesante për ta vizituar", tha një turist.
“Jemi nga Çekia dhe është hera jonë e parë që vizitojmë këtë vend. Është shumë i bukur, me natyrë të pastër dhe burime ujore natyrore. Po planifikojmë të shkojmë edhe në kanion, që na kanë thënë është shumë interesant. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe nëse miqtë tanë do të vinin ndonjëherë këtu, padyshim që do t’ua rekomandonim. Babai im ka qenë disa herë në Shqipëri, ky është udhëtimi i tij i pestë! Unë jam për herë të dytë në Shqipëri, por në këtë vend konkret jemi për herë të parë. Mendojmë se babai e ka lexuar për këtë vend nga një çek që jeton në Shqipëri dhe që e ka rekomanduar, ose ndoshta e kemi lexuar vetë diku. Ishim kuriozë ta shihnim dhe vendosëm ta vizitojmë", tha një tjetër.
"Po, është hera jonë e parë në Shqipëri dhe na pëlqen shumë! Jemi nga Polonia. Njerëzit këtu janë shumë të mirë dhe pamjet janë shumë të bukura. Ka një natyrë fantastike", u shpreh një turist tjetër.
Përveç natyrës spektakolare dhe klimës mahnitëse, Gramshi ka edhe një kulturë të pasur.
"Gjatë vitit 2024 ne kemi pritur me shumë se 140 mijë turistë, dhe kryesisht kanë vizituar zonat me të famshme e kulminante që ne kemi ne Gramsh që është Ujëvarat e Sotirës, Liqeni i Dushkut e së fundmi Kanioni i Holtës. Kemi pritur turistë pothuajse nga gjithë bota nga Spanja, Kroacia, Franca, Anglia dhe Zonat e Ballkanit si Serbia", tha Sajmir Xharo.
Kanioni i Holtës ka një thellësi prej 150 m dhe shtrihet me shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike të cilat përfaqësojnë një ekosistem mjaft interesant.
Komente
