Një tjetër episod që ra në sy nga takimi elektoral që Sali Berisha zhvilloi sot në tregun artizanal të Krujës, ishte biseda me një turist francez, i cili për ironi të fatit i kujtoi kreut të PD-së, sloganin e kryeministrit Edi Rama për këto zgjedhje: “Shqipëria në BE sa më shpejt”.
Komunikimi mes tyre u bë në frengjisht, teksa më herët ai ishte përshëndetut edhe me një turiste spanjolle, që po vizitonte një prej dyqaneve.
Ndërsa francezi i vuri në dukje faktin që Shqipëria të hynte sa më parë në Union, Berisha iu përgjigj se ishte dakord me mendimin e të huajit, por ‘duhet plotësuar të gjitha kushtet dhe standardet e nevojshme për këtë proces’.
Pjesë nga biseda mes Berishës dhe turistit francez:
Francezi: Ne jemi këtu, ky është udhëtimi ynë i tretë në Shqipëri. Është një vend shumë i bukur. Ne e duam shumë Shqipërinë. Ajo që dua të them është se duam që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. A jeni dakord?
Berisha: Jam absolutisht dakord. Ne do bëjmë gjithçka që ky vend të ecë me dinjitet drejt Bashkimit Europian duke përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e nevojshme për këtë proces dinjitoz.
Francezi: Ne besojmë se turizmi është një mundësi e madhe për Shqipërinë.
Berisha: Po, është mundësi e jashtëzakonshme por Shqipëria nga ana tjetër ka një potencial të jashtëzakonshëm për të prodhuar gjithçka. Është një vend shumë i pasur në çdo aspekt, rezerva minerale globale, ka naftë. Shqipëria ka një tokë shumë pjellore, plot ujë ndaj ‘Made in Albania’ është motoja jonë për të prodhuar, prodhuar, prodhuar.
Francezi: Keni në plan të përmirësoni infrastrukturën rrugore në vend? Ne zbuluam se kishte ende shumë për të bërë në këtë nivel.
Berisha: Absolutisht. Do të rinovojmë të gjithë infrastrukturën.
Komente
