Një turist nga Kosova është lënduar gjatë eksplorimit në zonën e Valbonës, në fshatin Kukaj, pasditen e sotme.
Personi me inicialet I. H., banues në Kosovë, ka rrëshqitur dhe është dëmtuar në këmbë, ndërsa po eksploronte zonën malore të Valbonës.
Pas dy orësh kërkimesh intensive, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar turistin, i cili është transportuar me ndihmën e Policisë deri në rrugën e makinave, dhe më pas me autoambulancë deri në Spitalin e Tropojës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
'Rreth orës 16:30, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se në fshatin Kukaj, Valbonë, shtetasi I. H., banues në Kosovë, duke eksploruar zonën ishte rrëzuar dhe për pasojë kishte dëmtuar këmbën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.
Pas dy orësh kërkimesh shërbimet e Policisë, lokalizuan turistin, i cili u transportua nga shërbimet e Policisë deri në rrugën e makinave dhe më pas u transportua drejt spitalit me autoambulancë. Turisti ndodhet në Spitalin e Tropojë, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës është e angazhuar maksimalisht në përmbushje të detyrave për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në ndihmë të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve në rast nevoje', thuhet në njoftimin e policisë.
Komente
