TIRANË- Pandemia nxirri në pah shumë probleme të ekonomisë së vendit, një prej të cilave ishte edhe ‘turizmi i pazhvilluar plotësisht’. Sipas programit të reformave ekonomike 2022-2024 të hartuar nga Ministria e Financave thuhet se Diversifikimi i ofertës turistike duke përdorur potencialet e pashfrytëzuara të vendit është një nga hapat që duhet të ndërmerret. Turizmi detar shihet si një nga masat afatgjatë për të mbështetur zhvillimin e sektorit të turizmit.
“Turizmi detar, siç është provuar në vendet e tjera të rajonit si Kroacia, Mali i Zi, Greqia dhe Italia, është një industri kryesore dhe Shqipëria nuk po përfiton nga korridori i vlefshëm Mesdhetar për shkak të ekonomisë së saj të pakët të marinës. Pozicioni i favorshëm gjeografik i Shqipërisë, që lidh detet Adriatik dhe Jon dhe Detin Mesdhe Qendror, e bën atë një vend të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve detare”, thuhet në programin ekonomik 2022-2024.
Në program theksohet edhe nevoja për një kuadër rregullator dhe institucional për zhvillimin e shërbimeve dhe mënyrën e funksionimit të Porteve Turistike dhe aktivitetet në funksion të tyre, si dhe zhvillimi i Programit të Turizmit Bregdetar dhe Detar dhe krijimi i produkteve të reja.
Sipas programit të Ministrisë së Financave aktivitetet detare në Shqipëri janë mjaft të kufizuara, të përqendruara kryesisht në peshkim.
“Shqipërisë i mungon infrastruktura bazike, burimet njerëzore dhe pajisjet për të shërbyer qoftë edhe një numër modest varkash kënaqësie, shumë më pak se një industri e qëndrueshme e marinës; rregullat dhe procedurat e vendit, të pandryshuara nga epoka komuniste, shquhen për kompleksitetin dhe ngurtësinë e tyre, duke e bërë vendin destinacionin më pak mikpritës në Detin Mesdhe Verior”, thuhet në program.