A do ta shpëtojë turizmi ekonominë e Shqipërisë së prekur nga COVID-i? Klosi: Edhe brenda vështirësive ne do ia dalim

1 Gusht 2020, 21:15| Përditesimi: 1 Gusht 2020, 22:27

  • Share

Nisi në muajin mars, me mbylljen e kufijve ajrorë, tokësorë dhe detarë, nga Bashkimi Evropian pasi COVID-19 filloi shtrirjen dhe atje.

Mjaftuan pak ditë që edhe Shqipëria të bëhej pjesë e kësaj vorbulle që ende nuk i dihet fundi ndërkohë që enigma vazhdon, nga erdhi virusi? Kush e shkaktoi? Kur do zhduket? A ka vaksinë kundër tij? E një sërë pikëpyetjesh të tjera që nisën si sfida shëndetësore dhe u përkthyen në kriza ekonomike në çdo sektor.

Në vend humbjet financiare filluan më 10 mars, ku qeveria vendosi mbylljen e bareve dhe restoranteve, e pasuar nga izolimi total, mbyllja e kufijve. Pandemia COVID-19 gjunjëzoi turizmin vendas. Goditja e marrë në prag të sezonit, anulimi i rezervimeve për pushime apo edhe arsye të tjera, mbylli edhe një sërë biznesesh që ligjërisht ishin të hapura të vijonin aktivitetin, si agjencitë turistike, guidat apo hotelet.

Kjo situatë e paparashikuar, lidhi duart e institucioneve e turoperatorëve dhe kyçi me qindra biznese, ku disa prej tyre fatkeqësisht ende nuk e kanë ngritur kokën.

 “Vërtet qeveria i konsideroi agjencitë turistike apo guidat si aktivitete të lejuara por për aq kohë sa kemi pasur transport të mbyllur, dhe hotelet çfarë mund të ofronim ne si agjenci”, pohon Ferjolt Ozuni.

Arka e shtetit, është e varur ndjeshëm nga turizmi dhe lidhjet me shtete të Bashkimit Evropian të cilët u goditën shumë nga situata. Sipas Ministrisë së Turizmit rreth 27.4% e PBB-së së vendit mbushet nga ky sektor, i cili ndër vite ka pësuar zhvillim.

Vetëm në vitin 2019, të ardhurat nga turizmi arritën në 1.8 miliardë euro, duke pasur impulsin më të madh në rritjen ekonomike. Por çfarë pritet të ndodh këtë vit, i konsideruar si turizmi i mbijetesës?

 “Ne diskutonim që mund të jenë humbjet 1.5 miliardë euro deri në qershor por duke parë edhe një korrik zero ajo humbje është më e madhe, unë besoj që të ardhurat nga turizmi nuk do të kalojnë 500 milionë euro në skenarin optimist të vjeshtës”, shprehet eksperti i trurizmit, Besnik Vathi.

Sipas statistikave vitin e kaluar në vend kanë hyrë rreth 6.4 milionë shtetas të huaj, por për sa u përket të dhënave pikëpyetjet janë të mëdha, për shkak se ndarja se sa persona erdhën për turizëm dhe sa për arsye të tjera nuk është konkrete.

Problemi tjetër është numërimi i shtetasve që hyjnë në tokën shqiptare. Në të dhëna janë 6.4 milionë shtetas, por e vërteta mund të mos jetë e tillë, pasi 1 person mund të ketë hyrë disa herë në Shqipëri dhe ai për çdo herë numërohet si turist i shtuar.

Lënë pas këto paqartësi. Përballja është tashmë me realitetin e ri, atë të pas COVID-19, viti i mbijetesës së turizmit. Ekspertët e shohin me pesimizëm të ardhmen edhe në skenarin më optimist të mundshëm.

 “Të gjitha aktivitetet e tjera ndoshta u hapën dhe kanë rifilluar, por turizmi është ende në koma. Edhe në situatën më optimiste të jemi nga gushti shtatori përsëri nuk e kalojmë 30% të aktivitetit në raport me vitin e kaluar”, deklaron Vathi.

Plaga që i është thelluar këtij sektori, vështirë se do të gjejë kurë këtë vit, siç po ndodh edhe me vetë shkaktarin SarsCov-2 për të cilin ende nuk kemi një vaksinë. Ndikimi është kudo njësoj, që nga jugu deri në veri. Mungesa e vizitorëve në krahasim me vitin e kaluar duket në çdo destinacion të vendit.

E ndikuar edhe nga sezoni veror, duket se ato që do e përjetojnë më shumë këtë gjendje janë qendrat historike dhe ato të kulturës. Kalaja historike e Petrelës, jo më shumë se 18 km larg Tiranës me një model mesjetar dhe lartësi deri në 400 metër pret e heshtur të vizitohet nga shqiptarë dhe të huaj.

 Antikiteti dhe lashtësia e kalave në Shqipëri shpesh ngjall më shumë interes tek turistët e huaj sesa kaltërsia e detit. Të shumtë janë ata turistë që zgjedhin Kalanë e Petrelës për të ardhur për të mësuar më shumë mbi historikun që ajo të ofron. Por Covid-19, duket se edhe këtë destinacion e ka penalizuar ashtu si edhe pikat e tjera turistike të vendit tonë. Pavarësisht kësaj persona që rrinë gjatë gjithë kohës në Kala shprehen se muaji korrik ka qenë disi shpresë për ata pasi është rritur numri i atyre që kanë ardhur për ta vizituar, për të kaluar një pasdite por pse jo edhe fundjavën.

Gëzim Shaba, i cili shoqëron turistët që vizitojnë kalanë shekullore, thotë se pandemia i ka paralizuar dhe pavarësisht se situata po përmirësohet temperaturat e larta reduktojnë përsëri numrin. 

Si duket situata në Kalanë e Petrelës, krahasuar me vitet e kaluara por edhe me muajit përpara pandemisë?

Puna këtu ka qenë gjithmonë. Por me këtë periudhë të pandemisë kemi qenë të frenuar. Mirëpo tani ka filluar puna pak duke ruajtur edhe masat, distancën. Ajri i pastër është sigurisht që  frekuentohet. Tani temperaturat bëjnë punën e tyre, këtu lëvizjet më së shumti janë pasdite, sigurisht shumica ikën edhe në plazh”, thotë Shaba.

Me rihapjen e kufijve tashmë kanë filluar edhe ardhjet e turistëve të huaj.

Nga cilat qytete vijnë kryesisht?

Nga qyteti i Tiranës më shumë por edhe nga qytetet e tjera. Vijnë edhe të huaj, nga Italia, Greqia, Gjermania edhe nga Zvicra.

Meqë jeni në kontakt me ata, çfarë kërkojnë më shumë të shijojnë panoramën apo edhe të mësojë historinë?

"Gjithmonë të huajit janë kureshtarë të dëgjojnë historikun dhe i shohin gjërat me imtësi kudo", thekson Shaba.

Pikërisht në këtë vend bashkohet e bukura me të vështirën pasi rruga për të mbërritur në krye të Kalasë, është e lodhshme por paralelisht edhe tërheqëse. Kamera e Report TV, xhiroi një ditë në kala, e cila u mbush nga zëra fëmijësh, të cilët janë turistët më të sinqertë. Logoja e këtij viti për turizmin mbetet "eja dhe qëndro në Shqipëri!

Për vendet turistike më thjesht dhe bukur flasin fjalët e fëmijëve.

Pse vendosët të vinit në kalanë e Petrelës sot?

Sepse unë mendoj se ky është një emër shumë i veçantë dhe hera e parë që vij këtu, doja të shikoja misteret e këtij vendi kaq të veçantë.

Ju tërheq më shumë panorama apo doni të mësoni diçka edhe për historinë?

Unë e kam dëgjuar pak historinë e kësaj kalaje kaq të veçantë, por është shumë misterioze dhe thash të vija e ti hidhja një sy.

Tani që e keni parë pjesën e parë mendon se do të rikthehesh përsëri në kala?

Po. Do ti them mamit dhe babit që të vijë e gjithë familja këtu, është shumë bukur.

Më thatë pak më parë që keni pasion edhe muzikën, mendoni të bëni një videoklip këtu?

Unë jam duke  bërë një këngë të re dhe ky është vend shumë i veçantë, mendoj të bëj disa pjesë këtu.

Më mirë ta kaloni ditën në qendër apo këtu?

"Këtu është më bukur, është qetësi dhe shumë mirë më pëlqen shumë”, thotë Efi Gjika.

I njëjti ndikim në turizëm ndjehet nga mali në fushë. Në zemër të Tiranës, turistët mund të gjejnë një strehë për të mësuar në mënyrë të thjeshtë dhe origjinale historinë. Historia dhe e shkuara e një vendi padyshim që mbeten identiteti i tij më i rëndësishëm. E tillë është edhe historia e Shqipërisë në kohën e komunizmit. Një mënyrë më e mirë për tua prezantuar më gjerë publikut por edhe turistëve të huaj, është Bunk’art 1 dhe Bunk’art 2. Një strehë e historisë  së komunizmit, të asaj kohe të errët të cilën më së shumti jemi mësuar ta shohim nëpër filma dhe libra. Tashmë  Bunk’art 1 dhe Bunk’art 2 janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuar historike të turistëve vendas dhe të huaj. Por koha e pandemisë e ka penalizuar edhe këtë destinacion, pasi numri i personave që kanë ardhur për t'i vizituar është i reduktuar.

Përjetimet e turistëve që vizitojnë këtë vend, tregojnë më shumë për rëndësinë dhe pse duhet vizituar Bunk’art 1 dhe 2.

Është hera e parë që vini këtu në Bunk’art?

Po është hera e parë.

Si ishte ndjesia e parë?

Është ndjesi e çuditshme, të kujton ato tregimet e prindërve kryesisht. Në fakt them sa mirë që nuk jetoj në periudhën e komunizmit. Ndjehem me fat me thënë të drejtën.

Disa foto dhe personazhe të vendosura të ngjallin pak ndjenjën e frikës?

Sigurisht që po, sidomos ajo dhoma e të pushkatuarve dhe njerëzve të humbur. Ndjeva një frikë shumë të madhe, dhe më vjen shumë keq që prindërit e mi kanë jetuar në atë periudhë.

E vlerësoni faktin që ne në vendin tonë kemi Bunk’art ku kemi të vendosur edhe kohën e komunizmit, historinë dhe mund ta kemi edhe më të thjeshtë të marrim pak histori?

Sigurisht që po, unë mendoj se është shumë e nevojshme që brezi i ri të njihet me atë që vendi ka kaluar në mënyrë që të kuptojë vështirësitë që të tjerët kanë pasur dhe të vazhdojnë përpara.

Do të vinit përsëri apo do ua rekomandonit të afërmve dhe shoqërisë?

Në fakt po mendoj të vij me babain, duke qenë se kemi parë shumë filma shqiptarë bashkë. Të vinim të kujtonim, ndoshta disa momente jo të këndshme për atë, por nostalgji gjithsesi. 

Cila nga dhomat ju bëri më shumë përshtypje?

"Dhoma e Enver Hoxhës. Sapo isha atje një ndjesi misteri, po më dukej sikur unë nuk duhet të isha aty. Sikur dikush do të vinte dhe do më bërtiste”, thotë një turiste.

"Është hera e parë që vij në Tiranë, dhe vendosa të vizitoja këtë vend. Më pëlqeu, është shumë i veçantë por njëkohësisht edhe i çuditshëm. Po shikoja personazhet dhe dhomat, disa prej tyre më dukeshin të frikshme", thotë një turiste bjelloruse.

Menaxherja e Bunk’art 2, Enkeleda Allamani, thotë se pandemia i ka dëmtuar, por që me hyrjen e muajit korrik situata është përmirësuar. “Krahasuar me muajin e kaluar numri i vizitorëve ka qenë në rritje. Pandemia normalisht ka ndikuar pasi jemi pezulluar disa nga pandemia edhe pse i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme. Kemi rënie në numri nga viti i kaluar por jemi me shpresë se mund ta shpëtojmë atë. Nëse doni të mësoni më shumë për historinë, që nga viti 1912 mund të vini në Bunk’art”, tha Allamani.

E njëjta situatë e zbehtë turizmi parqitet edhe përgjatë vijës bregdetare, e cila ndryshe nga vitet e kaluara nuk është e mbushur me qytetarë.  Prenotimet e reja janë në nivele minimale.

 “Prenotime që kanë mbetur pezull ka pasur. Prenotime të reja thuajse aspak, ose kanë qenë sporadike, prenotime nga individ. Numrat në rritje ndikojnë dhe të huajt vështirë se zgjedhin Shqipërinë. Të huajit kërkojnë drejtë kulturës dhe arkeologjisë por ka edhe nga ata që vijnë me charter për plazh, por përsëri orientohen në zona të tjera të kulturës”, shprehet guida turistike Ozuni.

Operatorët e këtij sektori presin humbje deri në 1.5 miliardë euro dhe mbyllje të shumë biznese të sektorit të shërbimeve.

“Me pesimizëm e them që nuk shoh dritë në fund të tunelit dhe pesimizmi është shumë i madh dhe mund të them se 70% e agjencive mund të falimentojnë nëse vazhdohet me këtë ritëm”, thotë ai.

A ka më shpresë për turizmin? Është pyetja që po i mundon të gjithë. Edhe mes vështirësive mund të mbijetojmë thotë Ministri i Turizmit Blendi Klosi.

 “Është realisht një vit jashtëzakonisht i vështirë por ne shpresojmë që ky biznes dhe turistët me chartera të vazhdojë siç ka nisur nga Bjellorusia, Ukraina dhe Polonia dhe me shpresë që të kemi edhe chartera nga vendet e tjera Skandinave pasi kjo do të krijojë një bazë të mirë për sezonin e mbijetesës 2020. Është një sezon i vështirë por edhe brenda vështirësisë do të kemi turizëm në bregdetin shqiptar”, deklaroi Ministri i Turizmit Blendi Klosi.

Ndërsa për bizneset e këtij sektori duhet të kemi një paketë mbëshetëse për të mbijetuar. “Së pari sektori i turizmit ka nevojë të dëgjohet. Së dyti ka nevojë ti jepet një përgjigje ekzakte, i duhemi apo jo ekonomisë së vendit. Nëse i duhemi duhet të dëgjohet dhe të përgatitet një plan i madh masash. Insentivat I kemi deklaruar dhe kërkuar në dy forma. E  para kemi kërkuar bonus për pushime për qytetarët shqiptar dhe të shfrytëzohet edhe jashtë sezonit veror. E dyta mund të jepen për turoperatorët e huaj që duan të mbajnë rezervimet e tyre”, pohon eksperti Vathi.

Operatorët e vijës bregdetare e kanë ngritur shqetësimin e mungesës së turistëve që në fillim të muajit qershor kur u lejua hapja e plazheve.

Bizneset e turizmit tashmë duhet të përballen edhe me kosto të shtuara pasi duhet të zbatojnë protokollin shëndetësor. Ulja e të ardhurave në arkën e shtetit nuk është sinjal vetëm për krizën ekonomike por është tregues i varfërimit të xhepit të qytetarit. Në 5 muaj të vitit 2020 hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë rënë me 60%, pasi të gjitha rrugët tokësore nga vijnë edhe më shumë turistë, si dhe ato ajrore dhe detare u mbyllën.

Ekonomia jonë pritet të hyjë në recesion deri në 6% sipas të dhënave të Ministrisë së Financave. Ndërsa sipas të gjithë raporteve ndërkombëtare goditja më e madhe do t'i vijë nga turizmi për shkak të varësisë që ka ndaj tij.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Flori: 08/08/2020 02:01

    Per dy euro e ben veten o kritik absolut,,mos u bej zdroms si thote lali eri,,se vellait tend ja ke dhene,,,nuk thua shyqyr qe ka mbetur dikush atje per te te pritur,,se kane ikur te gjthe kot se koti ne tirane,,,kur mund te investonin ne veri dhe jo te rrinin ne feriferite si geto pa kushte.e pa pune....

    Përgjigju
  • Ilir: 02/08/2020 07:22

    Bizneset e turizmit do vazhdojne te mbushin xhepat e pronareve dhe zyrtareve te korruptuar...! Ne nje jave ne bregun e jugut nuk kam marre asnje kupon tatimor ne restorante, kafe apo sherbime te tjera! Si ka mundesi qe nuk shkruhet per evazionin fiskal te tmerrshem por na nxirrni kete qoften minister...!

    Përgjigju
  • Gim: 02/08/2020 01:40

    Ti o Blend as nuk ja ke haberin ksaj pune. Ti je aty kot dhe Rama prandaj eshte qelbesire se mban afer vetes ndyresira dhe injorante si ty

    Përgjigju
  • A. N.: 02/08/2020 00:07

    Nuk me duket qe plotesohen kushtet per te thithur turiste skandinave, vetem po pati skandinave te lodhur qe duan te kursejne ne maksimum. Duhet patur parasysh qe skandinavet sa here qe vijne kane probleme (helmim, dhembje barku, etj) sepse nuk kane imunitetin qe kemi ne ndaj ushqimeve te pakontrolluara. Ne jemi vend turistik vetem per turizem low cost qe nuk ofron asnje kusht higjeniko sanitar dhe as kushte per te bere nje turizem te qete.

    Përgjigju
  • KritikAbsolut: 01/08/2020 22:42

    Vajta ne Lepushe para 2 javesh ne te njejten shtepi qe kisha qene dhe vjet. Fale bisedave qe ruhen ne whatsapp pashe qe vjet kisha paguar 20euro personi ndersa sivjet me kerkoi 22 euro personi me te njejtat kushte. Ndonese quhet viti i mbijeteses bizneset nuk jane ndalur ne rritjen e cmimeve per te balancuar humbjet por kjo ne mendimin tim nuk eshte e drejte qe te rendohen ata pushues qe nga rrethanat kane vendosur te pushojne shqip

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?