Foto ilustruese

Ekonomi

Turizmi mban në rritje investimet e biznesit në prona të reja

12 Shtator, 09:35| Përditesimi: 12 Shtator, 09:37

  • Share

Investimet e reja të biznesit në prona janë në rritje të ndjeshme edhe për këtë vit. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, vlera e lejeve të ndërtimit për qëllime jorezidenciale (që përfshin ndërtimet për qëllime tregtare, industriale, zyrat, hotelet, etj.) për gjysmën e parë të këtij viti arriti në 15.1 miliardë lekë ose rreth 155 milionë Euro.

Vlera e investimeve të reja në këto ndërtesa është në rritje me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja ka ardhur sidomos nga investimet për ndërtimin e hoteleve. 58% e vlerës së ndërtimeve të reja të biznesit është e lidhur me projektet e ndërtimit të hoteleve. Hotelet kanë dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e vlerës, ndërkohë që investimet në ndërtime të tjera, për qëllime tregtare apo industriale, paraqiten në rënie.

Numri i lejeve për gjysmën e parë të vitit, megjithatë, paraqitet me një rënie të lehtë në 151, nga 176 që kishin qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Cikli pozitiv i ekonomisë shqiptare në vitet e fundit duket se ka ndikuar pozitivisht edhe investimet e reja të bizneseve në prona. Në veçanti, rritja e turizmit ka rritur kërkesën për kapacitete të reja akomoduese dhe ka nxitur rritjen e investimeve në hotele.

Gjithashtu, rritja e tregut të pasurive të paluajtshme dhe perceptimi pozitiv rreth zhvillimeve në këtë treg duket se ka nxitur edhe investimet për ndërtime me përdorim të natyrës tregtare apo industriale.

Tendenca në rritje e investimeve në pasuri të paluajtshme po dëshmohet paralelisht edhe nga rritja e financimeve bankare për këtë qëllim.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për 7-mujorin e këtij viti bizneset kanë marrë rreth 33 miliardë lekë kredi për blerje ose ndërtim të pronave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia e re për prona është rritur me 13%.

Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë e sektorit bankar për kredi kanë ndikuar gjithashtu në nxitjen e investimeve të biznesit në prona.

Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti kryesor edhe në segmentin e bizneseve. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut portofoli total i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti në 198 miliardë lekë ose dy miliardë euro./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?