Strukturat akomoduese në vendin tonë regjistruan një sezon të mbarë matur nga net-qëndrimet. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se kishte një rritje si të numrit të vizitorëve ashtu edhe të netëve të qëndrimit në korrik 2025.
Vizitorët gjithsej u rritën me 34,6%, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 45,3% dhe rezidentë 11,2% krahasuar me muajin korrik të vitit të kaluar.
Net qëndrimet gjithsej pësuan rritje vjetore me 33,5%, ku ato jo-rezidentë u rritën me 44,4%, ndërsa ato nga rezidentët me 9,8%. Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat bregdetare (+50,3%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+41,1%).
Në profilin e tregjeve, Kosova vijon të udhëheqë me 21% të vizitorëve jo-rezidentë, e ndjekur nga Polonia (11%) dhe Italia (10%). Gjermania dhe Franca kontribuuan përkatësisht me 7% dhe 6%, ndërsa 45% e turistëve vinin nga vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Edhe norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele shënoi përmirësim, duke u ngjitur në 52,9% nga 49,3% në Korrik 2024, një tregues i qartë i kërkesës në rritje.
Strukturat akomoduese turistike klasifikohen dhe përshkruhen në grupe Hotele dhe akomodime të ngjashme. Kjo klasë përfshin hotele, kompleks turistike, hotele suita, motele.
Grupi tjetër “Akomodime për pushime dhe të tjera” përfshin shtëpi pushimi për fëmijë dhe të tjerë, apartamente dhe shtëpi njëkatëshe për vizitorë, shtëpi pushimi familjare pa shërbim në dhomë, bujtina të rinjsh dhe streha malore. Grupi i tretë i njësive akomoduese përfshin hapësirat për kampingje dhe për parqe, për çadra ose rulota argëtimi.
Shqipëria ka pasur zhvillime pozitive në sektorin e turizmit vitet e fundit.
Ritmet e rritjes së numrit të turistëve kanë rënë këtë vit, por qëndrimet në hotele po rriten edhe nga formalizmi dhe deklarimi më i lartë i strukturave akomoduese./Monitor
Komente
