Nga 1 maji, Shqipëria ka hequr kufizimet për COVID-19 për shtetasit që hyjnë në territorin e vendit tonë, ku nuk kërkohet certifikatë vaksinimi apo test. Kjo do të ndihmojë jo pak turizimin, ku sipas drejtuesit të sektorit të operatortëve turistikë, Xhimi Lama, pritet një sezon i mirë. I ftuar në "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu, Lama tha se prenotimet kanë filluar të rriten.
"Heqja e masave është lajm shumë i mirë për turizmin, prenotimet kanë filluar të rriten. Muajt që vijnë pritet të sjellin edhe më shumë rritje. Turistë rusë dhe ukrainas ishin shpëtim për turizmin shqiptar, por prej luftës kjo ka ndryshuar. Këtë vit ka patur goxha prenotime nga Serbia, jemi të fokusuar më së shumti te tregu perëndimor", tha ai.
Lama pranoi se do të ketë një rritje të çmimeve, ku në bare e restorante këtë vit çdo gjë do të kushtojë të paktën 20% më shumë se vitin e kaluar.
"Kanë filluar rritjet e çmimeve në bare e restorante, do ketë një rritje me të paktën 20%. Çmimet në Europë janë rritur në mënyrë galopante", u shpreh ai.
Por pavarësisht se pritet një sezon i mirë, Lama theksoi se problem mbetet mungesa e stafit dhe ndotja.
"Ka probleme me stafin, për atë të kualifikuar as nuk flitet, por thjesht për staf, ka shumë probleme. Zakonisht të rinjtë vijnë për të mësuar për pak kohë dhe më pas largohen. Të huajt që vijnë nga vendet e treta nuk rrinë në Shqipëri, do rrinin me një rrogë 800 euro jo 400 dollarë. Ngritja e pagave është e domosdoshme, e rëndësishme t'i mbajmë që mos largohen të rinjtë nga Shqipëria. Pastërtia mbetet një problem. Nuk pastrohet vendi me aksione, duhet të krijohet një sistem, të paktën për 3 muajt e verës, duhet të ketë një vëmendje të shtuar të pushtetit lokal", theksoi ai.