Foto ilustruese

Turizmi pyjor do të shpëtojë pyjet dhe natyrën shqiptare

18 Maj 2022, 20:04| Përditesimi: 18 Maj 2022, 20:10

  • Share

Ndër vendimet kryesore të Samitit Botëror mbi Ndryshimet Klimatike, të organizuar nga OKB -ja në Glasgow, Scotland (31 tetor-12 nëntor 2021) ishte: “..duke filluar nga viti 2030, të ndalohet plotësisht prerja e pyjeve”. Ky vendim, me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit, u theksua në Rezolutën e këtij Samiti Ndërkombëtar mbi Ndryshimet Klimatike-COP26.

Mund të jetë një koinçidencë e këndshme për mua që, problemin për ndalimin e prerjeve në pyje, për të cilën vendosi konferenca e mësipërme, një vit më parë e kam propozuar dhe trajtuar si të nevojshme për t’u zbatuar në Shqipëri, në dy shkrime publike në internet, në mars e shtator 2021.

Gjendja e pyjeve në Shqipëri

Ky vendim i Samitit në fjalë, është direktivë e qartë, jo vetëm për shtetet e pasura me pyje (Kanadaja, Amerika, Brazili, Rusia etj.), të cilat e mbështetën dhe e aprovuan këtë dokument të rëndësishëm, por sidomos për vendet me pak pyje, veçanërisht për vendin tonë, ku pyjet, gjatë dy shekujve të fundit, duke injoruar parametrat biologjikë dhe kapacitetin e tyre prodhues, u shfrytëzuan jashtë çdo kriteri teknik, u pakësuan në mënyrë drastike, tej aftësisë ripërtëritëse të tyre. Kjo solli degradimin e gjendjes natyrore të dikurshme të pyjeve tona. Mbijetesa e disa masivëve pyjorë, duke siguruar në mjaft raste edhe ripërtëritjen, më tepër lidhet me vitalitetin e lartë të pyllit, si ekosistem i fuqishëm dhe i aftësisë vetëkonservuese të natyrës, sesa me zbatmin e teknikës pyjore. Kjo vërteton konkluzionin se, zakonisht, silvikultura është imitim iproceseve natyrore të zhvillimit të pyllit sesa zëvendësimi tërësor me një grumbull të ri pyjor.

Siç dihet, pylli përfaqëson një formacion të veçantë e specifik të botës bimore. Organizimi dhe funksionimi i tij është impresionues si nga pikëpamja e përbërjes dhe e katëzimit të drurëve dhe të bimësisë tjetër që formojnë grumbullin pyjor, ashtu dhe nga larmia dhe intensiteti i proceseve fiziologjike dhe bioekologjike që zhvillohen në brendësi të tij. Pylli është një ekosiste m poliedrik, me lidhje të shumëllojshme e të ndërsjellta me tokën, atmosferën, faunën e egër dhe faktorin njerëzor. Drurët dhe pylli janë gardianët më efektiv, fuqiplotë dhe të pazëvendësueshëm në ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe të peizazhit gjeografik. Si i tillë, pylli duhet konceptuar e menaxhuar si një qenie e gjallë dhe jo si material inert, pa jetë, si minierë kromi. Pyllin nuk mund t’a shfrytëzosh pa pushim, sa dhe si të duash, kur të duash, pa asnjë kufizim kohor e volumetrik, me metoda arbitrare të papërshtatshme shfrytëzimi, duke injoruar dhe duke iu kundërvënë ligjeve të hekurta të natyrës. Kjo e bën natyrën të reagojë ashpër, shpejt, fuqishëm, me pasoja të paparashikueshme, ndaj këtij brutaliteti njerëzor, që cënon integritetin e sovranitetin e saj absolut.

Marrëdhëniet pyll –njeri

Marrëdhëniet pyll-njeri kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tepër të vështira për t’u menaxhuar në atë mënyrë që të realizohet në çdo moment ekuilibri midis tyre. Ky binom vuan nga antagonizmi i përhershëm midis të dy krahëve, që thellohet dhe bëhet më i mprehtë çdo ditë e më tepër si pasojë e pakësimit të sipërfaqes pyjore, nga njëra anë dhe e rritjes së kërkesave për lëndë druri dhe përfitimet e tjera të dobishme që ofron pylli, nga ana tjetër, të cilat synon t’i shfrytëzojë shoqëria sa më shumë, sa më mirë dhe sa më efektivisht.

Ndaj, menaxhimi i suksesshëm, bashkëkohor, i kujdesshëm dhe me përgjegjësi i fondit tonë pyjor kërkon, që çdo masiv t’i nështrohet këtij realiteti dhe të kihet parasysh, për të arritur objektivat silvikulturore, që do të caktohen në mënyrë të shkallëzuar në kohë dhe në hapësirë, me qëllim që shoqëria të përfitojë maksimumin e mundshëm nga pyjet. Këto kërkesa profesionale ndërthuren me dashurinë, pasionin dhe ndjenjën patriotike, që e shoqërojnë specialistin e pyjeve në çdo moment, në çdo hap që hedh dhe në çdo vendim që ai merr. Është një dashuri që lind qysh në bankat e fakultetit, që, më pas, shndërrohet në një doktrinë të vërtetë në rrugën e formimit inxhinier silvikultor; e bën atë mbrojtës fanatik, objektiv dhe të kualifikuar të pyjeve shqiptare nga prirjet dhe veprimet arbitrare aq të shpeshta në pyjet tona. Kjo përbën esencën e silvikulturës si praktikë, si shkencë dhe si filozofi.

Marrëdhëniet e shoqërisë me pyllin shqiptar, duke filluar nga fundi i shekullit të XVIII, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të njëanshme, të ndërtuara jo mbi baza pariteti e të barabarta midis tyre. Ato nuk kanë funksionuar dhe nuk kanë njohur asnjëherë bashkëpunimin dhe përfitimin e ndërsjelltë sipas parimit “Serva me – servabo te”(Shërbemë mua – të të shërbej ty). Shoqëria jonë ka vepruar mbi pyllin dhe vazhdon të veprojë ende, më shumë sot, me mentalitet mesjetar dhe pozicion tmerrësisht dhe çuditërisht antipyjor, grabitqar, për të rrëmbyer sa më shumë nga pylli, pa i ofruar atij në këmbim, ndihmën dhe kujdesin teknik të nevojshëm, në atë masë dhe në atë mënyrë, që të lërë gjurmë dhe të shërbejë si model shkencor, kulturor dhe qytetar.

Përpjekja për të “argumentuar” në mënyrë burokratike justifikimin e së keqes dhe tragjedinë e vërtetë, që u ndodhi pyjeve tona dhe aq më keq, zbukurimin e këtij realiteti të deformuar e “të lodhur” pyjor të trashëguar nga shfrytëzimi arkaik sui generis, primitiv e non stop, është hipokrizi e pastër profesionale, bëhet vetëm për konformizëm të çastit në shërbim të interesave dhe përfitimeve thjeshtë personale. Një qëndrim i tillë ndaj këtij problemi madhor ndikon direkt mbi ekonominë e vendit, është i lidhur ngushtësisht me cilësinë e jetesës së njerëzve, dëmton më tej pyjet dhe interesat themelore të vendit.

Formacionet e pishës së zezë, problemet e tyre

Pishat e Kryeziut, dikur, përfaqësonin modelin ideal të kësaj specie pyjore në arealin e saj natyror, me përmasa dendrometrike, që reflektonin kushtet e shkëlqyera stacionale ku rriteshin. Këto kushte nuk i kam takuar në asnjë pyll pishe tjetër në Shqipëri dhe as në studimet e imta gjenetike të kësaj specie të kryera në vende të tjera, aq të shumta në literaturën universitare europiane.

Pishat e Kryeziut përfaqësonin një genotip autokton shqiptar të kësaj specie e cila, sipas kritereve taksonomike, mund të quhej “Pinus nigra var. albanica”. Ky thesar i rrallë shqiptar, me vlerat e një diamanti të vërtetë floristik kombëtar dhe europian, nuk ekziston më. Një krim i madh pyjor dhe mjedisor! Unë jam dëshmitar i këtij procesi kriminal, të kryer nga shteti shqiptar. I këtij krimi, me përmasa të mëdha, që ndryshoi gjithçka, ndryshoi totalisht pamjen origjinale e hijerëndë, me bukuri përrallore të këtyre pyjeve që na i kishte falur me bujari natyra prej mijra e mijra vjetësh, të trashëguara brez pas brezi dhe të mbrojtura në mënyrë shembullore nga të parët tanë.

U degraduan pyjet më të vlefshme të Shqipërisë dhe me shtrirje të gjerë të pishës dhe të ahut, të cilat i kam njohur e matur me pëllëmbë nga veriu në jug të vendit dhe i kam akoma të freskëta në kujtesën time, disa prej të cilave, veçanërisht pyjet e pishës në Fushë-Arëz, Pukë, Kukës, Peshkopi, Mirditë, Kolonjë etj dhe disa biotipe përfaqësuese të pyjeve me ah në Masdejë, Kolosjan, Bizë, Stravaj, Bishnicë etj., ishin fitocenoza tipike autoktone shqiptare, perla të vërteta floristike, me vlera të mëdha socialekonomike. Kjo është një dramë e vërtetë pyjore e mjedisore, e paparë në vendet e qytetëruara. Shteti, institucionet e personat e ngarkuara me administrimin dhe mbrojtjen e pyjeve duhet të zgjohen nga ky gjumë i thellë dhe i stërzgjatur. Të mos e braktisim këtë pasuri, nga dobiprurëse sot, mungesa e saj nesër të shndërrohet në një forcë të verbër të natyrës.

Tregues dëshpërues të pyjeve, thirrje për ndalimin e prerjes së tyre

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Vjetari Statistikor Shqiptar, 2020, rezulton se burimi kryesor i ngrohjes së popullatës janë drutë e zjarrit, në masën 54.6% dhe në çdo dy familje njëra ngrohet me dru zjarri!!! Ky është tregues, dëshpërues për pylltarinë shqiptare dhe për çdo specialist pyjesh, e rendit vendin tonë dhe nivelin e jetesës së popullit shqiptar dekada larg Europës, për të mos thënë më tepër. Le të jemi realistë. Treguesi i mësipërm vërteton gjendjen e degraduar të pyjeve tona dhe përkeqësimin e tyre të vazhdueshëm, të shprehur nga shumë specialistë. Në kushtet, kur mbi gjysma e popullatës ngrohet me dru zjarri, ai tregon se edhe pyjet e dushkut e të ahut bëhen “viktima” të padiskutueshme të prerjeve abuzive.

Ky tregues flet se, në këto kushte, është vështirë dhe nuk mund të pretendohet se në pyjet tona po zbatohen teknikat e modelet e njohura shkencore, të sanksionuara nga eksperienca qindravjeçare e silvikulturës europiane. Këtë realitet të hidhur, krejt të ndryshëm nga vendet e tjera, duhet t’ia bëjmë të qartë, në radhë të parë, vetes tonë në shpirt si specialist. Dhe më tej, këtë realitet duhet t’ia themi fort shtetit, apo qeverive, të cilët duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndiejnë përgjegjësi, të tregojnë vullnet e mirëkuptim për pyjet, për t’a parë ndalimin e prerjeve si mundësi reale për të penguar vazhdimin e krimit pyjor, të paktën për pyjet e ahut dhe të pishës së zezë, për një periudhë minimale njëqindvjeçare dhe kalimin e tyre nën administrimin turistik. Kjo do të ishte në përputhje me rekomandimin e Samitit Ndërkombëtar në Glasgow. Është e sigurt se brenda një ose dy dekadave këto pyje do të kthehen në parqe të mëdha turistike moderne dhe në burime të rëndësishme të ardhurash monetare, që do të përmirësojnë jetesën dhe mirëqenien e banorëve të zonave ku ndodhen këto pyje.

Mbasi i shfrytëzuam pyjet tona në mënyrën më barbare të mundshme dhe i shpërdoruam ato, duke u justifikuar me funksionin e tyre parësor, prodhimin e lëndës së drurit, dhe funksion të dytë, dobitë ambientaliste, ka ardhur koha të zmbrapsemi nga ndërhyrja njerëzore arrogante dhe dëmtuese në jetën e pyllit dhe t’a lemë atë në qetësinë absolutisht të domosdoshme për t’u ribërë siç ka qenë mijra vjet më parë.

Ndalimi i prerjeve industriale në pyjet e ahut e të pishës, sot është emergjencë kombëtare me përmasa historike, që e kërkon vetë natyra. Këtë domosdoshmëri duhet ta kuptojmë dhe ta bëjmë kauzën tonë të përditshme dhe të përbashkët, të gjithë ne, specialistët e pyjeve, qeveritarët, politikanët, të gjithë qytetarët. Po të arrihet kjo, atëherë është e sigurt se do të jetësohet ky propozim dhe do të kthehet në një vendim shpëtimtar për pyjet tona, në një gëzim të madh, që shumë shpejt do t’a ndiejë i gjithë populli shqiptar.

Përsa parashtrova më sipër, del se që pyjet të luajnë rolin e tyre mjedisor me kapacitetin biologjik të plotë të tyre dhe t’i ofrojnë shoqërisë më shumë akses dhe përfitime të dobishme nëpërmjet zhvillimit të turizmit, mendoj që, me vendim apo ligj të posaçëm, duhet të shpallet:

1. Të ndalohet prodhimi industrial i lëndës së sharruar në pyjet e ahut e të pishës, të paktën për njëqind vjet, kohë mbas së cilës të rishikohet zgjatja e mëtejshme e këtij afati.

2. Të ndalohet prodhimi industrial i lëndës së rrumbullakët për nevojat e qytetit. Në raste shumë të rralla të përjashtohen kërkesat e fshatrave të zonave shumë të thella malore, që ndodhen pranë këtyre pyjeve, të cilat do t’a sigurojnë këtë lëndë sipas rregullave ligjore në fuqi, vetëm për nevojat vetjake.

3. Të ndalohet kategorikisht eksportimi i lëndës së drurit, i çfardo forme e lloji qoftë, i konsideruar si veprim që nxit prerjet abuzive, degradimin dhe pakësimin e sipërfaqes pyjore, duke cënuar interesat kombëtare.

4. Sasia e lëndës së drurit që nevojitet për të plotësuar nevojat e popullatës të sigurohet nga importi, si çdo mall tjetër, dhe të shitet me çmimin që ka sot tregu i brendshëm.

5. Administrimi dhe menaxhimi i pyjeve të ahut e të pishës, të kalojë në vartësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.

6. Personeli inxhiniero-teknik i ngarkuar me mbikqyrjen e këtyre pyjeve, të kalojë gjithashtu në vartësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Menaxhimi teknik i këtyre pyjeve të kryhet, si deri tani, vetëm nga specialistët e pyjeve, të diplomuar si të tillë.

7. Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit t’i ndalohet kategorisht dhe të konsiderohet veprim i kundërligjshëm prerja e drurëve për qëllime tregtare dhe si burim të ardhurash financiare.

8. Punonjësve aktual që preken nga zbatimi i këtij vendimi t’u jepet përkohësisht ndihma e nevojshme financiare nga shteti, nëpërmjet asistencës sociale.

Është koha për të ndryshuar raportet midis pyllit dhe shoqërisë, në favor të së dytës. Është koha që pyjet tona të trajtohen si burim i madh të ardhurash, kursesi jo duke i prerë drurët për të prodhuar vetëm masë drunore, sepse kjo është shumë pak për mundësitë që ka vetë pylli për t’i dhënë maksimumin shoqërisë dhe ekonomisë, por duke i ruajtur drurët dhe pyllin të paprerë dhe duke i përdorur ato vetëm për qëllime turistike. Shpallja dhe zbatimi faktik i moratoriumit për ndalimin e prerjeve në masivet pyjore të ahut dhe të pishës, mendoj se është një sine qua non që nuk lë vend për t’u diskutuar, është absolutisht e nevojshme dhe e domosdoshme, është e vetmja alternativë për t’i shpëtuar këto pyje nga kataklizma përfundimtare të cilën, fatkeqësisht, shumëkush nuk arrin t’a shikojë dhe t’a kuptojë. Ndalimin e prerjeve industriale në pyjet e ahut e të pishës unë e shoh si një imperativ, si një përpjekje për të kuptuar, edhe nëpërmjet pyllit, se bota po ndryshon globalisht. Dhe së fundi, është e vetmja mundësi që kemi ende në dispozicion, që këto pyje t’i gëzojë edhe brezi që vjen pas nesh dhe brezat e tjerë në vazhdimësi.

Nuk po flas këtu për pyjet e dushkut, sepse nuk janë objekt i këtij shkrimi, por është me rëndësi të theksohet se në vitet ’60 të shekullit të kaluar ndaj këtyre pyjeve, që ishin përfaqësueset tipike dhe karakterizuese të zonës fitoklimatike Castanetum në Shqipëri, u krye një ofensivë e madhe shkatërrimtare në shkallë kombëtare, nën drejtimin e qeverisë së atëhershme, bashkë me ministrinë e bujqësisë dhe atë të mbrojtjes, si pasojë e së cilës shumica e pyjeve të dushkut u prenë rrafsh, u shpyllëzuan dhe u kthyen në toka bujqësore.

Arkitektura e peizazheve

Duke e konsideruar të mirëqenë vendimin e KM për të ndaluar prerjet industriale në pyjet e ahut e të pishës dhe kalimin e tyre nën administrimin turistik, bashkë me zgjidhjen e problemeve financiare, që lindin nga zbatimi i këtij vendimi, merr fund odiseja dyshekullore për t’i shpëtuar këto pyje, që përbëjnë zemrën e fondit tonë pyjor, nga shkatërrimi dhe rreziku i zhdukjes së tyre.

Pas kësaj, bashkëpunimi dhe bashkërendimi konceptual teorik dhe praktik i veprimtarisë pyjore me arkitekturën e peizazheve dhe shkrirja e natyrshme e tyre me njëra tjetrën, del në pah si problem kryesor përcaktimi i fizionomisë dhe i objektit që do të ketë në të ardhmen silvikultura dhe pylltaria shqiptare. Arkitektura e peizazhit do të synojë t’ia përshtasë kërkesat e saj infrastrukturore, ligjeve bioekologjike të ekosistemit pyjor dhe t’i harmonizojë me to në veprimtarinë e përditshme, si një rezultante të vetme, me qëllim që të arrihen objektivat e caktuara ambjentaliste e turistike sa më mirë, sa më shumë, sa më shpejt dhe sa më efektivisht.

Shndërrimi i këtyre pyjeve në objekte të mëdha turistike, do të çojë natyrshëm edhe në ndryshimin e numrit dhe të qëllimit të ndërhyrjeve silvikulturore në jetën e pyllit, të cilat do të jenë të reduktuara, kryesisht në funksion të aspektit fitosanitar dhe dekorativ. Ky ndryshim i funksionit të pyllit nënkupton një ridimensionim të perceptimit dhe vlerësimit të tij nga një fabrikë, që prodhon kryesisht lëndë druri sot, në një park natyror turistik nesër, me vlera shumë më të mëdha sesa funksioni prodhues, duke i shërbyer më mirë mjedisit rrethues dhe duke i ofruar shoqërisë shërbime të pashfrytëzuara, pa qenë nevoja të priten drurët, të degradohet dendësia e pyllit apo të zhduket ai nga harta e gjelbërt e Shqipërisë.

Ndryshimi i objektit të përdorimit të pyllit kërkon ndryshimin e nevojshëm paraprak të mentalitetit dhe të psikologjisë të specialistëve, që do të përgatiten në të ardhmen, duke i paisur me njohuritë bazë të arkitekturës së peizazhit, siç janë planifikimi dhe dizenjimi i hapësirave të jashtëme, ku përfshihen edhe pyjet, për të arritur objektiva të caktuara ambjentaliste, shoqërore dhe estetike si dhe ndryshimet e nevojshme për t’i përmirësuar ato.

Pyjet natyrore përbëjnë sot destinacionin kryesor për aktivitetet turistike dhe shlodhëse. Në një kuptim më të gjerë, arkitektura e peizazheve përmbledh njohuritë, që lidhen me dizenjimin urbanistik dhe krijimin e parqeve, arkitekturën, gjeografinë, inxhinierinë civile, shkencën e tokave, psikologjinë, artet fine, kujdesin afatgjatë dhe zhvillimin e peizazhit në kuadrin e pylltarisë, konservimin e natyrës etj. Kuptohet se me ndryshimet rrënjësore që parashikohet të kryhen në pyjet e ahut e të pishës, nëpërmjet ndalimit të prerjeve industriale dhe mbarshtrimi i tyre për qëllime turistike, kontributi i fakultetit të pyjeve është i domosdoshëm për t’i paraprirë formimit të specialistëve të pyjeve edhe me njohuritë bazë turistike, disa prej të cilave u thanë më sipër. Në këtë kuadër, do të sugjeroja, si fillim, në planin mësimor të fakultetit të shtohet si lëndë e re “Arkitektura e peizazheve dhe administrimi i hapësirave të gjelbërta”, duke patur si objekt përmasat e pyllit natyror. Specialistët e pyjeve, të paisur edhe me njohuritë turistike të arkitekturës së peizazheve, do të jenë faktikisht realizuesit e këtij projekti strategjik, që do të ndryshojë përfundimisht marrëdhëniet disproporcionale të njeriut me pyllin shqiptar, do të ndryshojë destinacionin e pyjeve tona të ahut e të pishës, ashtu siç po vepron prej kohësh Europa.

Administrimi turistiki pyjeve do të japë shumë shpejt frutet e dëshiruara, promotori të cilave do të jetë vetë inxhieri i pyjeve, tanimë i paisur me bazat e nevojshme teorike dhe praktike mbi turizmin pyjor dhe arkitekturën e peizazheve. Le të krahasojmë për një moment veprimet e supozuara të rutinës së përditshme të punës të specialistit, fjala vjen në një parcelë të masivit pyjor Masdejë, në rastin kur ai ka përgatitjen e sotme profesionale, me tjetrën nesër, edhe me njohuritë turistike. Për të parin, preokupimi kryesor do të jetë përfitimi i lëndës së drurit, mbasi të ketë kryer paraprakisht studimin e gjendjes së grumbullit pyjor, duke caktuar drurët që do të priten dhe anën nga duhet të rrëzohen, mbas bërjes së kllapës, me qëllim që të ruhet e paprekur filizëria gjatë rrëzimit të tyre ose, në pamundësi, të dëmtohet sa më pak që të jetë e mundur.

Ndërsa i dyti, mendon të gjejë një pamje piktoreske për të vendosur një tavolinë, qoftë edhe portative, ku mund t’u serviret turistëve një kafe, një birrë e ftohtë dhe pse jo një drekë me produktet dhe gatimet e shijshme tradicionale të zonës, sigurisht, në këmbim të një “çmimi të kripur”. Po ashtu, inxhinierit në fjalë i shkon mendja të studiojë mundësinë për të hapur një rrugë të ngushtë këmbësorësh, që të përshkojë tej e mbanë masivin pyjor, në mënyrë që turistët të shohin dhe të ndiejnë kënaqësitë e shumëllojshme që ofron pylli. Ai do të studjojë gjendjen e faunës në këto pyje dhe do të propozojë se çfarë duhet bërë për t’a shtuar dhe pasuruar atë. Por, detyra kryesore e tij turistike do të jetë ruajtja dhe shtimi i dendësisë së drurëve dhe i kurorëdendësisë së pyllit nëpërmjet evidentimit të çeltirave boshe, pa filizëri, dhe mbjelljen e tyre duke përdorur, sipas rastit, farë ose fidana edhe të llojeve ekzotike, që kanë cilësi ornamentale dhe pamje më të bukur dhe u përshtaten kushteve stacionale të pyjeve tona, duke e bërë peizazhin natyror ekzistues më të pasur dhe më tërheqës për turistët. Krahas sa u tha, inxhinieri i dytë do të tregojë preokupim të veçantë për të larguar menjëherë nga pylli drurët e tharë, të rrëzuar apo të infektuar nga sëmundjet, që prishin estetikën dhe gjendjen e tij shëndetësore, sa herë që ato shfaqen. Ka edhe shumë aspekte të tjera për t’u ndjekur nëse inxhinieri pyjor ka talentin dhe fantazinë krijuese të fushës turistike.

Shihet se kemi të bëjmë praktikisht me dy realitete dhe botkuptime pyjore thellësisht të ndryshme nga njëra tjetra, të cilat reflektohen në funksionimin dhe të ardhmen e pyllit. Kemi të bëjmë, gjithashtu, me specialistë pyjesh të përgatitur profesionalisht dhe psikologjikisht në mënyrë thelbësore, të ndryshëm nga njëri tjetri, rezultatet e punës të të cilëve vlerësohen në mënyra të ndryshme dhe përjashtojnë njëra tjetrën.

Administrimi dhe menaxhimi turistik i pyjeve nga inxhinierë pyjesh të paisur me njohuritë e kësaj fushe, do të krijojnë kushte për zhvillimin e një procesi evolutiv progresiv në pyjet tona, efektet pozitive të të cilit do të jenë të dukshme në përmasat e një revolucioni silvikulturor për pylltarinë shqiptare. Mbas këtyre ndryshimeve rrënjësore administrative dhe menaxhuese të pyjeve të ahut e të pishës, mund të krijohen kushte që ato të ribëhen në fillim të mijëvjeçarit të katërt, duke shënuar në këtë mënyrë “fitoren” mbi procesin evolutiv regresiv të deritanishëm dhe duke i kthyer natyrës dalngadalë pamjen e dikurshme origjinale që ka patur para shekullit të XVIII.

Mendoj në mënyrë të përsëritur, se ndryshimi i funksionit të pyllit nga prodhues i lëndës së drurit në objekt turistik, është “Thembra e Akilit” për t’i shpëtuar pyjet nga shkatërrimi, nga zhdukja graduale e pashmangshme dhe përfundimtare. Ky ndryshim thelbësor i objektit të pyllit pasqyron, gjithashtu, edhe aftësinë profesionale dhe përgjegjësinë qytetare të inteligjencës pyjore shqiptare për t’i korigjuar, sa nuk është vonë, gabimet e së kaluarës që u janë imponuar deri tani pyjeve tona, jo për faj të specialistëve, por për faj të qeveritarëve dhe paaftësisë së tyre, që kanë drejtuar njëri pas tjetrit atë vend dhe atë popull, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri më sot. Kjo është e vërteta. Të gjykosh ndryshe, kur pyjet tona janë pakësuar aq shumë sa janë katandisur si monumente kulture, do të thotë të gënjesh veten tënde dhe të ngopesh me lugë të zbrazur.

E kuptoj shumë mirë se një vendim i tillë tërheq mbas vetes probleme dhe shqetësime që e bëjnë propozimin tim të duket imagjinar, të kuptohet si një fantazi që nuk mbështetet mbi realitetin e sotëm ekonomik, financiar e shoqëror shqiptar, por ai nuk është i pamundur për t’u zbatuar nëse qeveria do të ketë predispozicion. Është shumë e thjeshtë. Le të ndjekim praktikën e kompanive të bisnesit të cilat u sigurojnë benefite punonjësve të tyre, duke u paguar 60-80% të shpenzimeve për ato shërbime shëndetësore, që nuk mbulohen nga shteti. Kështu duhet të veprojë shteti me lëndën e drurit që është e nevojshme të importohet, nëpërmjet tregut europian apo kudo, ku çmimi i shitjes është më i ulët, në vend të asaj që sigurohet nga pyjet tona, duke caktuar çmimin tavan të barabartë me atë që është sot në tregun shqiptar.

Shtete të pasura në pyje, siç është Amerika dhe Finlanda, importimin e lëndës së drurit e kanë praktikë të zakonshme, me qëllim që të ruajnë të paprekura dhe të kursejnë pyjet e tyre. Për analogji, pagesa që do të bëjë shteti mbi këtë çmim, si pasojë e importimit të lëndës së drurit, do të jetë i ngjashëm, nga ana formale, me bonusin që u paguajnë kompanitë punonjësve të tyre. Pra, qeveria me një fond të veçantë, i cili duhet të pasqyrohet si zë më vete në buxhetin e shtetit për çdo vit, do t’i mbulojë konsumatorit shqiptar pjesën e çmimit, që i vihet këtij artikulli, mbi çmimin që do të kishte nëse lënda e drurit do të sigurohej në vend.

Le ta quajë qeveria veten e saj, në këtë rast, një kompani të suksesshme bisnesi, për të bërë të mundur që lënda e drurit e importuar, të shitet në Shqipëri me të njëjtin çmim që ka ajo sot si prodhim vendi. Po të ketë vullnet dhe ta trajtojë me seriozitetin e duhur, qeveria mund të gjejë fare mirë një “modus viventi”, për ta tejkaluar këtë problem financiar, duke i bërë kështu vendit një shërbim të jashtëzakonshëm dhe historik.

Shndërrimi i pyjeve në resorte turistike malore është veprim i duhur, në kohën e duhur dhe në përputhje me faktin se turizmi pyjor në kohën tonë po bëhet gjithnjë e më shumë një trend botëror. Më i theksuar është në Europë ku e pret një e ardhme e shkëqyer. Është llogaritur se 72% e pyjove europiane (pa Federatën Ruse) është tashmë në shërbim të turizmit, shlodhjes dhe edukimit të njerëzve me dashurinë për pyjet.

Mbas kësaj, turizmi pyjor do të marrë një zhvillim dhe përhapje të shpejtë dhe do të kthehet në një konsorcium gjigant, që do të dominojë ekonominë dhe politikën shqiptare, duke hapur për një kohe të shkurtër mijra vende pune. Ai do të ndjekë shembullin dhe eksperiencën e kompleksit turistik gjerman “Pylli i Zi”, i njohur me emrin origjinal “Schwarzwald“. Turizmi pyjor shqiptar do të bëjë të mundur të harrohet togfjalëshi “shfrytëzim pyjor”, i keqpërdorur profesionalisht, duke e zëvendësuar me termin që i përshtatet realisht, “kujdesi fitosanitar pyjor”. Kjo do të jetë dita më e shënuar dhe më e lumtur në historinë e silvikulturës dhe të pylltarisë shqiptare.

Le të fillojë pra, konsorciumi ynë turistik pyjor me një investim modest, ndërtimin e teleferikut Burrel-Qafshtamë, si bërthamë për të krijuar në të ardhmen “Qendrën Turistike Qafshtamë”, ku njerëzit të ngjiten gjatë verës për të pirë një kafe, shoqëruar me ujin e njohur e të ftohtë që buron nga zemra e malit, në ajrin e freskët të pishave dhe më pas të kalohet në krijimin e qendrave të tjera të mëdha turistike “Lurë-Masdejë-Balgjaj”, “Bishnicë”, “Gërmenj” etj. Pyjet do të japin në këtë mënyrë kontributin e tyre që Shqipëria të mos kthehet në Siçilinë mafioze të gjysmës së parë të shekullit XX, kur mijra italianë, kryesisht të zonave jugore, braktisën vendin dhe emigruan në shtetet e fuqishme të Europës dhe sidomos në Amerikë, Kanada dhe Australi. Këtë zhvendosje të madhe demografike, bashkë me dhimbjen që i shkaktoi ajo popullit italian, këngëautori i famshëm italian i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, Domenico Modugno, e transferoi në pentagramin e tij muzikor, në këngën “Amara Terra Mia”, të cilën e këndon me emocione të forta melankolike dhe me refrenin prekës: “Adio, adio, amore/io vado via/Amara terra mia…”.

Ndalimi i prerjeve dhe kalimi i administrimit të pyjeve të ahut e të pishës në vartësi të sektorit turistik, janë dy vendime paralele dhe komplementare që duhet të marrë qeveria. Zbatimi i tyre nuk është aq i lehtë siç e paraqes unë. Do të duhet shumë mund e përpjekje për të kapërcyer vështirësitë e shumta e të shumëllojshme që kërkon zbatimi i tyre. Një skeptiku mund t’i duken pa vend këto mendime, por jam i bindur se nuk ka alternative më të sigurt dhe rrugë tjetër më të mirë dhe më fitimprurëse për të shpëtuar pyjet tona, madje jemi vonë në marrjen e këtyre vendimeve, për të cilat duhet të shprehen dhe të japin ndihmën e tyre specialistët e pyjeve dhe çdo shqiptar.

Kjo strategji e hartuar për transformimin e pyjeve të ahut e të pishës në objekte pëbërëse të turizmit shqiptar, do të bëhet realitet kur të vijë dita e praruar që Shqipëria të përqafojë mënyrën perëndimore të jetesës dhe të qeverisjes; kur shoqëria të punojë seriozisht për të zhdukur nga mesi i shqiptarëve urrejtjen për njëri tjetrin, urrejtjen ndaj mendimit ndryshe, urrejtjen politike dhe ideologjike, urrejtjen krahinore dhe fetare dhe të kultivojë në vend të tyre dashurinë dhe respektin për njëri tjetrin, miqësinë, modestinë dhe krenarinë kombëtare; kur drejtësia, nga mburojë dhe bashkëpunëtore me korrupsionin, krimin dhe kriminelët, të bëhet tmerr i tyre; kur zbatimi i ligjshmërisë të bëhet pjesa më e rëndësishme e kulturës shqiptare; kur vendi të drejtohet nga vajza dhe djem të zgjuar e të ditur, me integritet të lartë moral dhe professional, që përfaqësojnë identitetin e shtetit dhe të kombit shqiptar, që shërbimin e kulturuar ndaj popullit dhe mbrojtjen e atdheut t’a kthejnë në pasion dhe virtyt të veprimtarisë së tyre dhe jo të mendojnë si t’i fryjnë llogaritë bankare off shore me paratë e grabitura nga pasuria kombëtare. Turizmi pyjor do t’i shpëtojë përfundimisht pyjet e natyrën shqiptare. Ai është e ardhmja e pyjeve shqiptare.

Lindja e zhvillimi i turizmit pyjor, krahas atij bregdetar, kthimi i pyjeve të ahut e të pishës në parqe të menaxhuara shkencërisht për këtë qëllim, do të thotë më shumë kulturë, më shumë zhvillim, më shumë burime punësimi, më shumë mirëqenie për popullin, më shumë krenari kombëtare dhe patriotizëm, më shumë afrim me qytetërimin e përparuar të Europës Perëndimore.

*Doc.Bajram Xheko, ish-Dekan i Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tirana: 19/05/2022 12:31

    Profesor Xhezo. Ke shume te drejte. Kuptohet qarte se dashuria per pyllin , te ka detyruar te shkruash kete artikull, teper kritik ndaj shtetit dhe kultures se shoqerise tone, me baze shifrash te verteta mbi gjendjen katastrofike te pyjeve tona. Do ju sugjeroja profesor, qe ky shkrim i permbledhur ne thelbin e tij, t’i drejtohet direkt si nje “leter e hapur e thirje publike” drejtuar Kryeministrit Rama. Besoj se qeveria do reagoje , te pakten do te ketr nje levizje te institucioneve pergjegjese . Varferia dhe mungesa e shtetit jane shkaku, por kjo nuk duhet te vazhdoje me shkaterimin e pyjeve …

    Përgjigju
  • Emri: 18/05/2022 20:54

    Dua te jem optimist, por nuk arrij dot te jem. Pyjet ne Shqiperi digjen per qejf, digjen per te hapur kullota, digjen per inat te njerit apo tjetrit. Zjarrvenesit edhe kur kapen nuk bejne burg me shume se ca muaj. Vendosni burgim te perjetshem per zjarrvenesit, meqe denimi me vdekje, qe do te ishte denimi i duhur per ata qe djegin pyje me dashje, nuk mund te vendoset. Po ashtu sekuestrim te pronave dhe debim te familjes. Pergjegjesi penale per barinjte dhe punonjesit e pyjores qe i lene pyjet te digjen (ne mos i djegin vete). Ne rast se zjarrvenesit jane te mitur, pergjigjet familja deri me nje. Vezhgim 24h me dronet e turkut dhe satelitet e te gjatit. Qelloni pa paralajmerim zjarrvenesit. Pastaj do ta shikoni a digjen pyjet apo jo.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?