Industria po prodhon më shumë dhe hotelet, resortet, bujtinat e restorantet po presin më shumë turistë të huaj.
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, për muajin maj, thuhet se besimi në ekonomi u rrit me 1.1% ku sektorët që udhëheqin janë industria dhe shërbimet. Ndërtimi dhe tregtia janë në rënie, për shkak të ecurisë negative në biznesin e tyre. Nuk kanë ndryshuar perceptim qytetarët, pesimistë për situatën e tyre financiare dhe s’do bëjnë blerje të mëdha.
Shtimi i kontratave për porosi të reja kanë bërë për prodhimi industrial të rritet në muajin e kaluar. Për këtë arsye, besimi i këtij sektori është përmirësuar me 8%. Maji ka sjellë më shumë të huaj në vend dhe si rezultat janë rritur me 2.2% edhe pritshmëritë e sektorit të shërbimeve, të cilët presin rritje të kërkesës dhe çmimeve në muajit në vijim.
Ndërsa ndërtimi prej disa muajsh vijon të jetë në rënie. Në muajin e shkuar besimi në ekonomi në këtë sektor ra me 3.4% i përcaktuar nga vlerësime më të ulëta të bizneseve për aktivitetin ndërtues aktual dhe pritje më të ulëta për porositë kontraktuese. Ngecja e sektorit të ndërtimit është reflektuar edhe në lejet e ndërtimit që kanë miratuar bashkitë në tremujorin e parë të vitit, të cilat janë në rënie me 17% krahasuar me vjet.
Sipas INSTAT për periudhën janar-mars janë miratuar 258 leje ndërtimi nga Bashkitë, nga 311 leje të miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e ndërtimeve të reja për të cilat janë marrë leje përllogaritet në rreth 200 milionë euro.
Ky ngadalësim në sektorin e ndërtimit, vjen pas një bumi të madh në kulla shumëkatëshe, ndërkohë që sinjalet nga tregu po paralajmërojnë një ngadalësim të kërkesës për prona, ndikuar edhe prej çmimeve në rritje.
Komente
