Turli e stinës
Përbërësit:
- 1 patëllxhan i madh
- 1 kungulleshkë e madhe
- 2 speca (i kuq dhe jeshil)
- 2 domate të mëdha të pjekura
- 2 qepë mesatare
- 3 thelpinj hudhër
- 4–5 lugë vaj ulliri
- Kripë, piper i zi, rigon ose borzilok i freskët
- Opsionale: 1 lugë salcë domateje
Përgatitja:
Patëllxhanin e presim në kubikë dhe e lëmë 20 minuta në ujë me kripë që të lëshojë hidhësinë. Ndërkohë presim kungulleshkën dhe specat në copa mesatare, qepët në feta gjysmëhëne dhe domatet në kubikë. Në një tigan të madh ose tenxhere me fund të trashë, ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën me hudhrën derisa të zbuten. Shtojmë patëllxhanët dhe vijojmë me kaurdisjen derisa të marrë pak ngjyrë. Më pas shtojmë kungulleshkën dhe specat. Rregullojmë shijen me kripë e piper dhe e mbulojmë me kapak për 10–15 minuta në zjarr të ngadalshëm. Më pas shtojmë domatet e freskëta dhe nëse dëshirojmë shije dhe ngjyrë pak më të fortë hedhim dhe pak salcë domateje. E përziejmë ngadalë, shtojmë rigon ose borzilok. E lëmë gjellën të gatuhet edhe 15 minuta derisa perimet të jenë zbutur, por jo të shpërbëhen.
Këshilla nga Albana: Shërbehet si gjellë e ngrohtë me bukë shtëpie ose si antipastë e ftohtë. Për shije më të pasur, mund t’i shtosh djathë të bardhë (feta) mbi pjatë sapo të hiqet nga zjarri. Nëse do t’a pjekësh në furrë, pas skuqjes së parë vendos gjithçka në tavë, mbuloje dhe lëre 30 minuta në 180 °C.
Komente
