Një grup turistesh italiane, kryesisht gra në moshë të tretë, të apasionuara pas çiklizmit, kanë mbërritur në Kukës, gjatë një turi çiklistik që përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Stefania Mafeli, turiste italiane, rrëfeu emocionet e saj gjatë këtij turi të veçantë.
"Jam për herë të dytë në Shqipëri. Është një vend me natyrë të bukur, ushqim të mirë dhe njerëz shumë mikpritës. Ne udhëtojmë shpesh me biçikleta nëpër Europë, por Shqipëria është bërë një nga destinacionet tona të preferuara", tha ajo.
Grupi, i përbërë kryesisht nga gra, tërheq vëmendjen kudo që ndalet. Ato thonë se ndihen të sigurta dhe të mirëpritura, sidomos në zonat rurale.
“Kemi takuar njerëz të mirë në Shqipëri. Kemi parë që ka shumë liqene dhe dete në Shqipëri. Gratë janë shumë kurioze për të zbuluar njerëz dhe vende të reja ndaj kemi ndërmarrë këtë turne”, rrëfejnë ato.
Megjithatë kanë disa vërejtje për mungesën e infrastrukturës për biçikleta në disa qytete, ku kanë pedaluar, por këto sfida janë të vogla krahasuar me përvojën pozitive që po përjetojnë.
“Qytetet janë pak kaotikë dhe të papërshtatshme për të udhëtuar me biçikletë”, shpjegojnë ata.
Turistët italianë largohen drejt kufirit, me premtimin se do të kthehen përsëri vitin tjetër.
“Do të kthehemi me biçikleta dhe me miq të rinj, sepse Shqipëria, me të gjitha bukuritë e saj natyrore, mikpritjen e njerëzve dhe shijen e veçantë të aventurës, po fiton gjithnjë e më shumë vend në hartën e turizmit alternativ europian”, shprehet një prej tyre.
Udhëtimi i tyre me dyrrotakë është më shumë se një aventurë sportive, është një mënyrë për të njohur më mirë kulturën e vendeve të Ballkanit.
Komente
