TURQI - Zjarri i madh që ra dje (21 janar) në hotelin luksoz në resortin e skive në Kartalkaya, në provincën Bolu, ka shkaktuar të paktën 79 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet. Hoteli, që strehonte 240 të ftuar, nuk kishte sistem funksional të alarmit dhe fikjes së zjarrit, i cili besohet të ketë shpërthyer në kuzhinën e hotelit gjatë përgatitjes së mëngjesit të djeshëm.
Zjarrfikësit arritën me vonesë për shkak të distancës dhe aksesit të vështirë në zonë, duke e bërë situatën edhe më tragjike.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan shpalli një ditë zie kombëtare dhe premtoi që përgjegjësit do të mbajnë llogari para drejtësisë. Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke e quajtur këtë një tragjedi që ka tronditur zemrat e kombit.
Autoritetet turke kanë arrestuar deri tani 9 persona, përfshirë pronarin e hotelit, shkruan sot CNN Turk
Ndërkohë ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc në X shkruajti se për hetimin e ngjarjes ishte ngritur një grup hetimor prej gjashtë prokurorësh.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh dhe mediat turke kanë kritikuar mungesën e masave të sigurisë dhe kanë raportuar për sjellje të papërshtatshme të disa individëve që vazhduan të bënin ski pranë vendit të tragjedisë ndërsa trupat e viktimave po largoheshin nga hoteli.