Presidenti finlandez, Sauli Niinisto

Turqia i hap rrugë anëtarësimit të Finlandës në NATO! Presidenti finlandez udhëton drejt Stambollit

15 Mars 2023, 20:56| Përditesimi: 15 Mars 2023, 20:59

  • Share

Turqia do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Finlandës në NATO. Presidenti i Finlandës të mërkurën njoftoi se Turqia ka marrë vendim lidhur me ratifikimin e aplikimit të shtetit të tij në Aleancës e Atlantikut të Veriut.

Sauli Niinisto u shpreh se do të vizitojë Stambollin gjatë kësaj jave për të dëgjuar vendimin nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Turqit presin që unë të jem atje për të pranuar përgjigjen kur ata të japin njoftimin. Sigurisht, unë kam pranuar dhe do të shkoj ta pranoj përgjigjen e tyre”, tha Niinisto.

Presidenti turk, Erdogan ka bërë me dije se do t’i japë dritën jeshile Finlandës. Ai tha të mërkurën se do të mbante premtimin e dhënë për të mos bllokuar rrugën e këtij shteti drejt anëtarësimit në NATO.

“Të premten, ne do të takohemi me presidentin [e Finlandës], ne do të bëjmë atë që thotë premtimi që kemi dhënë”, tha ai për gazetarët.

Ratifikimi zyrtar do duhet të bëhet pasi vendimi të kalojë përmes votimit në Parlamentin e Turqisë. Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje. Turqia shprehu frustrimin e saj lidhur me atë që e sheh si dështim të Suedisë për t’iu përmbajtur zotimeve të marrëveshjes, ndërsa ka shprehur vullnet që Finlanda të ecë drejt anëtarësimit në aleancën perëndimore ushtarake.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha të martën se gjasat që Finlanda të anëtarësohet në NATO para shtetit të tij janë “rritur javëve të fundit”.

Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politika e mosangazhimit ushtarak dhe majin e kaluar aplikuan për anëtarësim në NATO, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Turqia ka akuzuar Suedinë se është bërë strehë për anëtarët e organizatave që Ankaraja i konsideron terroriste.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?