Turqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gazë

3 Maj, 08:21| Përditesimi: 3 Maj, 15:39

  • Share

Turqia ka pezulluar të gjitha importet dhe eksportet me Izraelin për shkak të veprimeve ushtarake në Gazë, duke u zotuar se ky vendim do të jetë në fuqi derisa Qeveria izraelite të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare në rajon.

Përmes një deklarate, Ministria turke e Tregtisë tha më 2 maj se “transaksionet e eksporteve dhe importeve në raport me Izraelin janë ndaluar dhe ndalesa përfshin të gjitha produktet”.

Zyrtarët në Turqi do të koordinohen me Autoritetin Palestinez për t’u siguruar që palestinezët të mos preken nga pezullimi i importeve dhe eksporteve, tha Ministria turke e Tregtisë.

Ministria e Tregtisë e përshkroi këtë hap si “fazën e dytë” të masave kundër Izraelit, duke shtuar se ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli “të lejojë dërgimin e papenguar dhe të mjaftueshëm të ndihmës humanitare në Gazë”.

Muajin e kaluar, Turqia – një kritike e ashpër e veprimeve ushtarake të Izraelit – njoftoi për kufizimin e eksportimit të 54 llojeve të produkteve për në Izrael, përfshirë aluminin, çelikun, produktet e ndërtimit dhe plehrat kimike. Izraeli u kundërpërgjigj duke vendosur po ashtu pengesa tregtare.

Gjatë së enjtes, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, akuzoi Turqinë për bllokimin e importeve izraelite dhe eksporteve nga portet turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, “po shkelë marrëveshjet duke bllokuar portet për importet dhe eksportet izraelite”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Qeveria e Erdoganit, që pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në mars, po përballet me presion të madh brenda Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Kritikët e kanë akuzuar Qeverinë për dy standarde, përkatësisht se akuzon rëndë Izraelin, por edhe mban raporte tregtare me të.

Turqia e ka njohur Izraelin më 1949. Nën udhëheqjen e Erdoganit, tensionet janë rritur mes dy shteteve. Udhëheqësi turk ka intensifikuar kritikat e tij ndaj Izraelit pas ofensivës ushtarake në Gazë, duke e akuzuar Izraelin se po kryen krime lufte dhe gjenocid.

Erdogan i ka përshkruar luftëtarët e Hamasit – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si luftëtarë të lirisë.

Gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se Turqia ka vendosur që t’i bashkohet rastit ligjor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shtuar se shumë shpejt Ankaraja do të dorëzojë kërkesë formale për t’u përfshirë në rast.

Afrika e Jugut ka ngritur një lëndë në GJND, duke e akuzuar Izraelin se ka shkelur Konventën për Gjenocid me ofensivën e saj ushtarake kundër Hamasit. Izraeli mohon se fushata e tij ushtarake në Gazë përbën shkelje të kësaj konvente./ REL

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 03/05/2024 08:57

    Bravo Turqia shpresoj qe dhe vendet e tjere te marin te njejtin vendim , vendi jone nuk solidarizohet kurre me ata qe jane vijtima nese nuk i urdherojne shefat e amerikes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?