Pesë gola dhe tre asistime në 23 ndeshjet e këtij sezoni kanë bërë që Samsunspori në Superligën e Turqisë të interesohet për Arbnor Mujën. Anësori i sulmit të Kombëtares luan për Antwerp në Belgjikë dhe ditën e fundit të merkatos dimëror në Turqi, emri i tij është lakuar për një kalim te Samsunspor.
Aktualisht turqit kanë 15 lojtarë të huaj në ekip dhe pritej që me "zbrazjen" e listës, Muja të bëhet afrimi i radhës. Nëse gjithçka nuk arrihet këto orë, padyshim që vera e 2024 do jetë pika e lidhjes mes Mujës dhe ofertave në merkato.
Forma e mirë e tij me 36 gola dhe 22 asistime në 175 ndeshje, ka zgjuar edhe këtë interes. Janë mediet në Turqi që e lidhin 25-vjeçarin me Samsunspor në elitën e këtij vendi. Me kontratë deri verën e 2025, Muja në treg vlen 5 milionë euro.
Pas kalimit të Muçit te Besiktas në bazë të marrëveshjes prej 8 milionë euro, duket se Superliga turke është kthyer në "oazin" e djemve kuqezinj.