Foto ilustruese

Turqit kapën 70 kg drogë nga Shqipëria dhe shoferin, kërkojnë të pyetet roja i parkimit...por ai ka vdekur

31 Mars 2020, 10:42| Përditesimi: 31 Mars 2020, 10:47

  • Share

Një sasi droge prej 70 kg e kapur në pikën kufitare të “Jpsala” në Turqi, ka bërë që autoritet e gjykatës së Edime në Turqi të dërgojnë një letër-porosi në prokurorinë shqiptare, me qëllim pyetjen e një roje parkimi që quhet Femi Shkëmbi. Kjo pasi veç sasisë së drogës të sekuestruar brenda trupit të një kamioni me targa të kokës tërheqëse AA 480 NN dhe të rimorkios ADR882, është arrestuar dhe shoferi i quajtur Arben Dautaj.

Kamioni është kontrolluar me qentë antidrogë dhe në pjesën e përparme të rimorkios, në vendin ku rimorkio, bashkohet me kokën tërheqëse, në një hapësirë boshe, në pjesën e pasqyrës, u gjet sasia e drogës, me peshë 70 kg e 226 gramë, e paketuar në gjithsej 68 tubo plastike, të lyera sipër me graso.

Menjëherë është arrestuar shoferi i kamionit Arben Dautaj, i cili gjatë dëshmisë së tij para policisë Turke ka pohuar se kishte ardhur në Turqi për të marrë mall nga Stambolli dhe me pas do kthehej në Shqipëri.

Nuk ka dijeni në çfarë mënyre dhe forme është ngarkuar droga në automjetin e tij. Kamionin e kishte mbledhur rreth dy muaj, ku kokën tërheqëse e kishte marrë nga Tirana, kurse rimorkion nga Elbasani. Kishte bërë vetëm mbulesën e rimorkios dhe përveç kësaj nuk kishte kryer asnjë ndërhyrje tjetër në automjet.

Duke qenë se nuk kishte gjetur klient në Turqi, kishte ardhur në gjendje bosh dhe pasi të ngarkonte mall në Avcilar (Stamboll), do të kthehej në vendin e tij.

Dautaj ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet dhe nuk i pranon akuzat e ngritura. Dautaj ka shtuar se kamioni ka qëndruar i parkuar për disa ditë në një parking në Tiranë që ruhej nga Femi Shkëmbi, duke i treguar policisë Turke se ai mund të ketë dijeni. Nisur nga kjo situatë, prokuroria Turke ka dërguar në Shqipëri një letër-porosi për marrjen në pyetje të Femi Shkëmbit. Por gjatë verifikimeve që ka kryer prokuroria e Tiranës, me qëllim gjetjen dhe pyetjen e këtij personi është mësuar se Shkëmbi ka ndërruar jetë dhe nuk mund të realizohet kushti për marrjen në pyetje të tij. Për pasojë, letër-porosia e kërkuar nga prokuroria Turke, nuk është ekzekutuar.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?