Politikë
Ekonomi

Ngec rishikimi i skemës së TVSH në bujqësi, Ministria e Financave kërkon kohë, deputetët: Kjo është tallje! Braçe: Puna ime e fundit në komision

11 Mars, 11:36| Përditesimi: 11 Mars, 15:43

  • Share

Halli më shumë se 6-vjeçar i fermerëve me një skemë TVSH-je që favorizonte vetëm importin, e shpesh i detyronte të hidhnin edhe produktet në kanal, janë meraku me të cilin socialisti Erion Braçe po mbyll këtë legjislaturë parlamentare.

Një nismë e propozuar prej tij, për ta rregulluar TVSH-në në bujqësi, e që sot priste miratimin përfundimtar në Komisionin e Ekonomisë, nuk u aprovua nga qeveria, e cila nuk dha një opinion për këtë projektligj, por nuk pati as mbështetjen e Ministrisë së Financave, e cila kërkoi ende kohë për të bërë një skemë të re.

“Do të kemi një qëndrim shumë shpejt dhe më pas të japim qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Financave”, u shpreh zëvendësministri i Financave Florian Semani.

“Mbase këto janë fjalët e fundit në këtë komision. Qeveria duhet të kuptojë se institucioni që cakton taksat është kuvendi i republikës dhe jo qeveria. Kjo tallje që ndodh këtu është vetëm se këtë e kam propozuar unë, sepse po ta kishte propozuar ministri do ishte miratuar direkt”, tha Braçe.

“Më duket tallje se kemi 6 vite që merremi me këtë çështje”, tha Jorida Tabaku.

“Më duket e kotë që na thoni që po kërkoni leje nga BE. Ne e kemi ekonominë tonën, ta vendosim bujqësinë në barazi me të tjetër. Të eksportojmë dhe ne, jo vetëm të importojmë”, u shpreh Vullnet Sinaj.

Kritika pati edhe për ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj, i cili në kushtet kur bujqësia po shkatërrohet, sipas Braçe të paktën duhej të vinte në komision

“Është e turpshme që ministri i Financave nuk vjen të përballet me ne që flasim për një çështje që cenon 45% të qytetarëve”, tha Brace.

Skema e Erjon Braçes synon të rimbursojë 20% TVSH-në për produktet që blihen te fermeri vendas, aq saç është edhe në import. Skema aktuale, është produkt i ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj sot në arrati, që sipas Braces për inate personale hartoi skemën aktuale të TVSH.

“Ky shqetësim është krijuar nga ministri i Financave dhe është bërë në mënyrën më banale të mundshme, se ministri i asaj kohe kishte inat Braçen se kishte frikë se unë bëhesha ministër i bujqësisë”, u shpreh Braçe.

Nisma e Braçes është miratuar më herët në parim në Komisionin e Ekonomisë me aprovim edhe të Ministrisë se Bujqësisë, më pas u pezullua nga KQZ për ligj elektoral, por u zhbllokua nga KAS. Votimi këtë të martë, u shty pasi deputetë si nga PD ashtu dhe PS u larguan nga mbledhja sapo mbaruan fjalët, duke mos plotësuar kuorumin.

“Meqë është puna ime e fundit në Kuvend, unë do jem shumë i kënaqur që kjo do të votohet kundër në Kuvend dhe të shoh në sy Petrit Malajn që bën fushatë në Divjakë”, tha Braçe.

Shalsi: Puna e fundit për këtë sesion?

Braçe: Po, po, patjetër për këtë sesion, po, po, patjetër...!

Sot grumbulluesi e blen produktin tek fermeri me 0% TVSH, duke bërë që prodhimi vendas të mbetet stok ose të dalë më i shtrenjtë në treg, ndërsa kur e blen në import rimbursimi i TVSH-së është 20% duke e favorizuar produktin e huaj.

Ora 15:42
Si u bë zero TVSH-ja në bujqësi? Braçe ‘shigjeton’ Ahmetajn: Ministri i kohës kishte hall mos bëhesha ministër bujqësie, donte të shkatërronte sektorin

Skema e rimbursimit të TVSH-së thuajse në çdo paketë fiskale është debatuar në komisionet parlamentare.

Erion Braçe tregon zanafillën e këtij dëmi që i është bërë fermerëve, kur u bë 0% TVSH-ja në bujqësi, teksa shigjeton ministrin e kohës së Financave që ka qenë Arben Ahmetaj.

“Ky shqetësim është krijuar nga Ministri e Financave dhe është krijuar në mënyrën më banale të mundshme. Kjo TVSH-ja u shkatërrua me ligj se ministri i asaj kohe (Arben Ahmetaj) kishte siklet të madh nga Erion Braçe, mendoi se ky do të bëhet ministër bujqësie dhe po ja shkatërroj sektorin para se të bëhet ministër bujqësie. Për kaq është prishur sistemi i TVSH-së. U ulëm me zotërinë (Ahmetaj) dhe kemi negociuar për ditë të tëra me radhë dhe ai zotëria aty (Dhimitër Kote zv/ministër bujqësie) e di mirë dhe kemi mbetur vetëm për 500 mijë euro, dhe për kaq para u shkatërrua skema e rimbursimit për bujqësinë”, u shpreh Braçe.

Problematikat me skemën e TVSH në këtë sektor kanë nisur në vjeshtën e vitit 2018, ku me propozim të Ministrit Arben Ahmetaj, rimbursimi i fermerëve u ul nga 20% në 6%. Pra kur grumbulluesi blinte produktin tek fermeri TVSH-në e kishte 6%, ndërsa e shiste me 20% TVSH.

Kurse në import ishte e barazuar si për blerje dhe për shitje në 20%. Në vjeshtën e vitit 2021, kur u soll në kuvend paketa fiskale e vitit 2022, u propozua që TVSH-ja në bujqësi të bëhej 0%, skemë që vijon deri më sot.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Erdi: 11/03/2025 15:41

    Plehrat e ministrise financave , fermeri ne cdo vend ndimohet , kto jane legenat qe fuan 20% ne kthim tvsh , ndyresira

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?