Foto ilustruese

Ekonomi

Të ardhurat e bankave nga interesat pësojnë rënie për herë të parë në pesë vite

1 Shtator, 22:45| Përditesimi: 1 Shtator, 22:49

  • Share

Të ardhurat neto nga interesat të sektorit bankar kanë pësuar për herë të parë rënie në periudhën pas pandemisë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për 6-mujorin 2025 kishin vlerën e rreth 36.9 miliardë lekëve, në rënie me 1.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Rënia e të ardhurës neto nga interesat erdhi për shkak se shpenzimet për interesa u rritën në një masë më të madhe se të ardhurat e bankave nga interesat.

Shpenzimet për interesa u rritën me 12.5%, të nxitura nga rritja e vazhdueshme e depozitave, por edhe nga konkurrenca në rritje mes bankave për t’i tërhequr ato.

Nga ana tjetër, të ardhurat bruto nga interesat shënuan një rritje modeste me vetëm 1.5%. Këto të dhëna tregojnë se efekti pozitiv i ciklit rritës së normave të interesit në bilancet e bankave tashmë ka shteruar.

Pas goditjes së fortë inflacioniste të vitit 2022, bankat qendrore rritën në mënyrë të shpejtë normat bazë dhe kjo u reflektua pozitivisht në të ardhurat nga interesat e aktiveve të sektorit bankar. Por, vitin e kaluar, normat e interesit iu kthyen rënies, duke u përcjellë edhe në ecurinë e treguesve benchmark që përdoren nga bankat për kuotimin e çmimit të kredive, kryesisht Bonove të Thesarit dhe Euriborit.

Kjo e ka frenuar rritjen e të ardhurave nga interesat, ndërkohë që në krahun tjetër shpenzimet për interesa kanë qenë të qëndrueshme, të nxitura edhe nga një konkurrencë në rritje për fondet e publikut, veçanërisht prej bankave më aktive në tregun e kredidhënies.

Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare në përgjithësi ka një përcjellje më të shpejtë në kahun e aktiveve të sektorit bankar, se sa në atë të pasiveve. Tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikohet i pari nga lëvizjet e normës bazë të interesit. Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase. Ndërkohë, përcjellja në interesat e depozitave zakonisht është më graduale.

Stanjacioni i rezultatit neto nga interesat është reflektuar qartë edhe në rezultatin përfundimtar të sektorit bankar për periudhën. Fitimi neto i sektorit, sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, pësoi rënie në rreth 17.9 miliardë lekë, 3.4% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë që të ardhurat nga interesat kanë frenuar, shpenzimet e aktivitetit bankar kanë vijuar të rriten gjatë 6-mujorit të parë. Në total shpenzimet jo për interesa arritën vlerën e 27 miliardë lekëve, në rritje me 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori vazhdon të përballet me presione rritëse të kostove, veçanërisht të atyre të personelit. Për 6-mujorin 2025, shpenzimet e personelit arritën në më shumë se 9.6 miliardë lekë, në rritje vjetore me 14%./Monitor

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se Kuvendi i ri do jetë më efikas për qytetarët se ai i kaluari?