Ekonomi

Të ardhurat rriten ndjeshëm, 100 mln € më shumë se janar 2024! Por shpenzimet sërish me 'kursim'

3 Mars, 17:00| Përditesimi: 3 Mars, 17:16

  • Share

Afro 646 milionë euro u mblodhën vetëm në muajin e parë të vitit nga administrata tatimore dhe ajo doganore. Ministria e Financave thotë se në raport me janarin e vitit të kaluar janë mbledhur 100 milionë euro më shumë.

Në muajin e parë të vitit ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave e ka pasur shtimi i konsumit që ka sjellë rritje të volumit të importit, pasi nga TVSH-ja si në import ashtu edhe në qarkullim brenda vendit janë mbledhur në total 220 milionë euro, një rritje me 37 milionë euro më shumë se vjet.

Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ishin 162 milionë euro ose afro 15 milionë euro më shumë se vjet. Ndikim pozitiv ka dhënë edhe rritja e pagave në sektorin publik kryesisht, pasi nga tatimi mbi të ardhurat personale janë mbledhur 72 milionë euro me rritje 15 milionë euro.

Shtimi i importit të mallrave të akcizës si pijet, alkooli, duhani, gaz apo karburant ka bërë që të ardhurat nga akciza të arrijnë në rreth 49 milionë euro nga 42 milionë euro që ishin vjet. Kurse fitimet e biznesit në janar janë rritur lehtë krahasuar me vjet, dhe në total janë mbledhur nga tatimi mbi fitimin 29 milionë euro.

Shpenzimet vijojnë të jenë problematike. Në muajin janar institucionet kanë shpenzuar 464 milionë euro, 73 milionë euro më shumë se vjet.

Nga këto fonde 445 milionë euro janë shpenzuar për paga dhe sigurime shoqërore të punonjësve të shtetit, ndërsa investimet publike përsëri janë në ecuri të ngadaltë. Në total shpenzimet kapitale në muajin e parë të vitit kanë qenë 19 milionë euro, tërësisht financim i huaj ndërsa financimi i brendshëm është 0 lekë.

TOTALI I TË ARDHURAVE
Janar 2024     545 mln euro
Janar 2025     646 mln euro
Rritja            +101 mln euro

 

TË ARDHURAT NGA TVSH
Janar 2024     183 mln euro
Janar 2025     220 mln euro
Rritja              +37 mln euro

 

TOTALI I SHPENZIMEVE
Janar 2024     391 mln euro
Janar 2025     464 mln euro
Rritja             +73 mln euro

 

TATIMI MBI TË ARDHURAT PERSONALE
Janar 2024     57 mln euro
Janar 2025     72 mln euro
Rritja             +15 mln euro

 

G.M./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?