Receta

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca/ Japrakë me lakër turshi dhe Tiramisu

18 Dhjetor 2018, 10:53| Përditesimi: 19 Dhjetor 2018, 09:24

  • Share

Receta e parë: Japrakë me lakër turshi

Përbërësit:

1 lakër(turshi)

500 gr mish i grirë

2 kokrra qepë

2 thelpinj hudhër

2 fk oriz

1 lç piper i kuq

Kripë dhe piper i zi

5-6 lgj vaj ulliri

Përgatitja:

Fillimisht pastrojmë gjethet e lakrës nga kërcelli, i shpëlajmë me ujë dhe i lemë mënjëanë.

Qepën e presim në kubikë të vegjël dhe së bashku me hudhrën e kaurdisim sa të zbutet pak me një lugë vaj ulliri. Në një tas vendosim mishin e grirë, shtojmë në të qepën e kaurdisur, orizin, kripën, piperin e kuq dhe piperin e zi. I përziejmë mirë dhe fillojmë të mbushim gjethet e lakrës turshi. Vendosim në tryezën e punës një gjethe lakër mesatare, vemë një lugë gjelle kimë në qendër dhe fillimisht kthejmë anët dhe më pas e mbështjellim role.

Në një tenxhere grijmë 2-3 gjethe lakër dhe mbi to vendosim me rradhë japraket duke mos i lenë ato të lira. Pasi ti kemi përfunduar i spërkasim me 3 lugë vaj ulliri dhe më pas i nbulojmë me ujë të nxehtë. Vendosim një pjate mbi japraket për ti fiksuar mirë, e mbulojmë tenxheren me kapak dhe i lemë japrakët të ziejnë në temperature mesatare për 50 minuta.

Receta e dytë: Tiramisu

Përbërësit:

4 kokrra vezë

100 gr sheqer

500 gr maskarpone

300 ml kafe e përgatitur(lëng)

300 gr biskota

Kakao

Përgatitja:

Fillimisht ndajmë në dy tasa të verdhat nga të bardhat e vezëve dhe i vendosim veç e veç në tasa. Tek të verdhat e vezëve hedhim 50 gr sheqer duke i rrahur së bashku derisa të verdhat e vezëve të rrisin volumin dhe sheqeri të shkrijë. Shtojmë më pas pak nga pak maskarponen duke e trazuar vazhdimisht me rrahësen e vezëve.

Më pas rrahim të bardhat e vezëve me sheqer derisa të bëhet një marengë e fortë. E bashkojmë më pas marengën duke e shtuar pak nga pak në tasin me të verdhat e vezëve të rrahura me maskarponen. E përziejmë mirë me spatul ose lugë druri derisa kremi të jetë njësuar plotësisht.

Përgatisim kafenë duke e ëmbëlsuar atë sipas shijes dhe e vendosim në një tas të thellë dhe e lemë të ftohet.

Në një tavë ku do të përgatisim tiramisunë fillimisht shtrojmë një bazë me kremin e përgatitur më pas lagim biskotat me kafe dhe i vendosim njëra pas tjetrës mbi bazën e kremit. Mbulojmë biskotat me një shtresë të trashë kremi. Vendosim përsëri një shtresë të dytë me biskota të lyera me kafe. I mbulojmë përsëri biskotat me një shtresë të trashë kremi. Në fund e pudrosim me kakao të gjithë sipërfaqen e kremit dhe e vendosim tiramisunë në frigorifer për disa orë që të ngurtësohet.

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?