Receta

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca/Tavë me kungull e oriz dhe Sallatë mix

18 Korrik 2018, 11:21| Përditesimi: 18 Korrik 2018, 15:09

  • Share

Përbërësit:

1 kg kungull të njomë

2 qepë

4 thelpinj hudhër

500 gr domate në copa + 1 lugë çaji sheqer

200 gr oriz integral

250 gr djath mozarela

Vaj ulliri

Kopër

Majdanoz

Kripë dhe piper  i zi

Fillimisht shpëlajmë orizin dhe e ziejmë atë për 12-14 minuta. Lajmë , thajmë kungujt dhe i presim ato në feta për së gjati me trashësi 2 mm.

Vendosim tiganin në zjarr për të ngrohur 4 lugë gjelle vaj ulliri. Kaurdisim qepën deri sa  të zbutet mirë dhe shtojmë hudhrat duke vazhduar kaurdisjen. Shtojmë domaten në copa, pak sheqer, pak kripë e piper të zi( nëse dëshironi mund të shtoni edhe pak spec pikant). I përziejmë mirë duke shtuar majdanozin, koprën dhe ¼ e gotës ujë të nxehtë. E largojmë tiganin nga zjarri.

Lyejmë një tavë me vaj ulliri. Shtojmë në sipërfaqen e tavës feta kungulli. I lyejmë ato me pak vaj dhe i mbulojmë me një shtresë orizi. Vendosim sërish një shtresë kungulli duke i lyer ato përsëri me vaj. Shtojmë përsëri mbushjen me oriz. Të njëjtën gjë bëjmë edhe me shtresën e tretë. Shtresat mund ti bëni sipas dëshirës, veç mbykllja e tavës nuk do të bëher me shtresë kungulli, por me mbushje me oriz. Në fund shtrojmë një shtresë me oriz të cilën e mbulojmë me feta të holle djathi mozzarella në të gjithë sipërfaqen. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 200ºC për 20 – 25 minuta.

Receta e dytë : Sallatë MIX

Përbërësit :

70 gr sallatë jeshile

50 gr radikjo

60 gr rukola

100 gr rrepa të kuqe

2 vezë të ziera

1 avokado

3 lugë gjelle uthull balsamike

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Fillimisht ziejmë vezët 10 minuta dhe i lëmë të ftohen. Lajmë, thajmë sallatat me gjethe si sallatën jeshile, radikjon, dhe rukolën. I vendosim në tas duke i copëtuar me dorë. Presim rrepat në rrathë ose në gjysëm rrathë dhe i vendosim në sallatë.

Përgatisim dresingun duke trazuar uthullën me  kripë, piper, pak sheqer e vaj. I trazojmë mirë dhe ia hedhim sallatës për ta marinuar. Vendosim sallatën në një tas. Qërojmë avokadon dhe e presim atë në feta dhe e  shpërndajmë nëpër sallatë. Më pas shtojmë dhe vezët dhe gjithçka është gati.

Ju bëftë mirë !


 

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?