Tërmeti i 26 nëntorit nuk do të fshihet lehtë nga memoria e shqiptarëve, përjetim i dhimbshëm që drodhi zemrat tona në ato orë të para të mëngjesit.
Mjeku Isuf Balliu me mbi 30 vite eksperiencë, ndodhej nëshërbim në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Krujës, kur nisën lëkundjet e forta tëtërmetit dhe ka pritur të parët të plagosur. Pa kaluar 10 minuta tregon ai, nisën të paraqiteshin qytetarë të gjakosur me dëmtime nga më të ndryshmet.
“Po kam qenë në shërbim atë nate, ishte një përjetim i jashtëzakonshëm sepse unë e kam një farë moshe dhe nuk kisha kaluar ndonjëherë tërmet të tillë. Si nga ana njerëzore dhe nga ana shëndetësore ishte një tmerr i vërtet. Pasi pushoi tërmeti për punë rreth 10 minutash kanë fillaur të vijnë urgjenca nga më të ndryshme, të gjakosur me dëmtime në kokë edhe në trup por kemi pas edhe raste me fraktura sidomos të këmbëve, për të cilat iu dha ndihma e pare këtu dhe u derguan te spitali i Traumës ata me demtime traumatike me thyerje, të tjerët u mjekuan por një panik i paparë”, shprehet për Report Tv mjeku.
Lëkundjet e forta ndërprenë dhe energjinë elektrike, ndërsa të dëmtuarit ishin nga mosha të ndryshme. Nuk e harron momentin kur mësoi për tragjedinë që kishte prekur Thumanën më së shumti.
“Mosha të ndryshme kishin tentuar të dilnin, ishte errësirë sepse këtu ikën dritat, ra sistemi. Menjëherë kur pash se situata po përkeqësohej mora drejtorin që të përforcojë shërbimin se ne 3 veta ishim, një mjek dhe dy infermire. Njëri iku me ambulancën shoqërues dhe ngelëm vetëm unë dhe infermierja e shërbimit, dhe drejtori erdhi me minuta me gjithë personelin dhe i shërbyem në mënyrën më cilësore të gjithë rasteve. Por filluan erdhën lajmet për Thumanën dhe na shkaktuan tronditje më të madhe. Fillimisht morëm vesh për Thumanën, kur na erdhën dritat që morëm vesh për Durrësin na u shtua tmerri”, kujton mjeku.
Për mjekun Isuf Balliu ky tërmet ishtë një tmerr i vërtet që nuk do ta harrojë asnjëherë.
“Asnjëherë nuk kam përjetuar tërmet të tillë dhe mos e përjetoftë asnjeri në Shqipëri dhe në botë, ishte një tmerr i vërtet. Tërmetet ndodhin, kanë rënë dhe do bien por edhe nuk të lejn me harru. Eshtë pak e vështirë ta harrosh atë lloj tërmeti”, thotë ai.
Dëmtimet më të shumta që pritën mjekët në Fushë-Krujë ishin frakturat e këmbëve pasi nga nxitimi për të dalë jashtë, shumë qytetarë janë rrëzuar nga shkallët.