Të gjithë të etur për kredi. Bizneset kryesisht për investime të reja ndërsa qytetarët me fokusin tek titulli 'pronar banese'.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 2024, bankat tregtare kanë dhënë afro 3.8 miliardë euro kredi të re, për bizneset dhe qytetarët. Në raport me vitin 2023, vlera e huasë së dhënë është afro 600 milionë euro më shumë. Përgjatë gjithë vitit 2024, bankat në vend kanë raportuar për bum kërkese për kredi nga të gjitha segmentet e biznesit, e po ashtu edhe nga qytetarët.
Kërkesa për kredi nga bizneset për investime, për likuiditet apo për shpenzime të papritura, është nxitur edhe nga normat e favorshme të interesit dhe kushtet e lehtësuara nga bankat. Sektorët që kanë marrë vlerën më të madhe të kredisë janë: tregtia me shumicë dhe me pakicë, ndërtimi, industria përpunuese, pasuritë e paluajtshme dhe sektori i akomodimit.
Kurse për qytetarët edhe pse ka vijuar kreditimi, bankat kanë pasur qasje më të kujdesshme sidomos për kredinë për blerje shtëpie, për shkak të fuqisë së tyre paguese në kushtet kur çmimet e pronave vetëm rriten.
Edhe për vitin 2025, kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë, ndikuar edhe prej rënies së normave të interesit për shkak se banka e Shqipërisë por edhe Banka Qendrore Evropiane po ulin normat bazë, për shkak të reduktimit të inflacionit.
“Kërkesa më e lartë për kredi nga bizneset pritet të shfaqet në çdo segment të madhësisë së biznesit, kryesisht në financimin e investimeve. Kërkesa për kredi nga individët pritet të jetë po ashtu në rritje, si për mbulimin e nevojave për konsum ashtu edhe për financimin e blerjeve të banesave”, thuhet në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë këtij viti pritet të nxitet edhe më shumë kreditimi, pasi Banka e Shqipërisë ka miratuar skemën 25 miliardë lekë me kredi të buta për biznesin e vogël dhe bujqësinë.