Ikona e kinematografisë shqiptare, kineasti Dhimitër Anagnosti feston sot 88-vjetorin e lindjes. Miq dhe dashamirës kanë bërë urimet për një nga themeluesit e filmit shqiptar. Me14 filma artistikë,10 filma dokumentarë ,"Artisti i Popullit", Anagnosti ka shkruar gjithashtu skenarin e 15 filmave dhe është fitues i çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.
"Nderi i Kombit, Dhimitër Anagnosti feston sot ditëlindjen! Dhimitër Anagnosti është një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare që ka ndriçuar ekranin duke thurur me mjeshtëri histori që kanë kapërcyer kufijtë tanë. Gëzuar Mjeshtër! Ndërsa festoni këtë moment historik, kujtimet e arritjeve tuaja të jashtëzakonshme dhe duartrokitjet e admiruesve të panumërt qofshin burim gëzimi dhe krenarie", shkruan ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duke sjellë në vëmendje disa nga filmat e tij më të sukesshëm si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Ish-gazetari i BBC, Ilir Kadia po ashtu ka uruar mjeshtrin e kinemasë.
"Fizikisht nuk ia kam shtrënguar dorën asnjëherë Dhimitër Anagnostit!Edhe pse që fëmijë e mbaj mend kur zbriste autobuzin, pranë shtëpisë time në Kinostudio, e shkonte drejt studiove e shesheve të xhirimit!Por me mendje gjithherë kur duartrokisja premierat e filmave të tij!Jo shtrënguar por puthur me shumë dashuri dhe respekt!Duart dhe mendjen e tij ndriçuese! Të paçim Dhimitër Anagnosti Ynë!", shkruan Kadia.
Urimet për Anagnostin nuk kanë munguar as nga personalitete të artit e kulturës si Ndriçim Xhepa, Agron Domi, Zhulieta Jorganxhi etj.