Opinion
Periferi

Të tradhtuar për një grusht ujë

28 Tetor 2021, 09:15| Përditesimi: 28 Tetor 2021, 09:22

  • Share

Pirja e ujit nga rubineti sot,  edhe në shumë vende të përparuara, është një veprim besimi. Industritë e ujit të ambalazhuar kujdesen në të gjitha mënyrat të bëjnë të mendosh që uji në shishe është më i pastër dhe i kontrolluar se uji në rubinet. Në Itali, për shembull, një vend me 60 milionë banorë, mbi 60 përqind e popullsisë pi ujë në shishe dhe jo në rubinet. Edhe pse studime të ndryshme tregojnë se mundësitë e ndotjes janë për të dyja rastet, si në shishe ashtu dhe në rubinet, po bëhen gjithnjë e më të pakët ata që i besojnë korrektësisë së kontrollit dhe veprimit të shpejtë në rast ndotjeje nëpër ujësjellësa. Kanë të drejtë?

Rasti i helmimit të banorëve të Krujës flet për këtë tradhëti besimi ndaj qytetarëve: kryefamiljarë, gra, të moshuar e fëmijë, të cilët me sy mbyllur kanë pirë ujë nga çezmat e qytetit të ngritur në shkëmb. Kush merr përsipër të punojë në një ujësjellës duhet të rri me sy hapur ditë e natë. Kush merr përsipër të marrë detyrën fisnike dhe të rëndësishme të shuajë etjen e banorëve të qytetit të tij, duhet të shqetësohet çdo sekondë që uji të jetë qelibar. A ka ndodhur kjo? A janë qendrat tona të ujësjellësit vende ku pastërtia, rregulli, përkushtimi, shqetësimi profesional është ngritur në piedestal? Apo në gjithë këto vite janë grumbulluar atje lloj lloj individësh të vendosur si "bankomatë" partish?

Helmimi në Krujë, ku qindra banorë, të vegjël e të rritur, përfunduan të shtruar në spital pas ujit që pinë nga çezmat e tyre nga burimet antike në mal, është një sinjal tepër i rëndësishëm që duhet marrë si një paralajmërim për sjelljen tonë: Ndal! Shtetbërja, nuk është shaka! Shtetbërja, serioziteti dhe përkushtimi ndaj qytetarisë nuk mund të vazhdojnë të jenë qoka politike, fisnore, klanore, majtas e djathtas. Në vendet strategjike dhe jetësore shqiptarët duhet të mësohen të zgjedhin djemtë dhe vajzat më të mirë që kanë: Në ushqim, në shëndetësi, në arteriet që mbajnë të gjallë linfën e një vendi duhet të jemi maniakë. Kthimi i besimit, kur një fëmijë vë grushtin në rubinet e shuan etjen me ujin aty, do të jetë sinjali i qartë se më në fund kemi bërë Shtet!

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?