Të vetmet “shpërthime” që duhet të na interesojnë

18 Mars 2023, 10:43| Përditesimi: 18 Mars 2023, 10:48

  • Share

Është e çuditëshme se sa shumë kohë dhe dedikim i kushtojmë zhdukjes së urrejtjes dhe sa pak rezultate pozitive në këtë luftë arrijmë. Që në hapat e parë në familje, në shkollë të gjithë janë të përkushtuar të mësojnë se “për të sjellë paqen, duhet zhdukur urrejtja”. Edhe sot, në kohët e Inteligjencës Artificiale, nëse e pyet ChatGpt se si mund të përmirësohet bota, pika e parë që do të përgjigjet është: ”...Elimino urrejtjen, promovo paqen dhe jo dhunën...”

Sa energji janë shpenzuar për të fokusuar njerëzit se: ”Urrejtja lind nga paragjykime dhe injorancë dhe se duhet kërkuar të flitet me kë lëshon urrejtje në mënyrë konstruktive dhe të qetë. Por ama, nëse personi rezulton i palogjikshëm dhe i dhunshëm, është më mirë të shmangësh ndërveprimin e të kalosh gjetkë”.

Për fat të mirë Shqipëria nuk është një vend në luftë, edhe pse kemi kaluar ditë vërtetë të vështira edhe ne. E megjithatë “shpërthimet” njerëzore plot urrejtje janë në rend të ditës. “Shpertheu ky ndaj këtij”, “Shpërtheu kjo ndaj asaj...”. Nuk e di nëse ka vend tjetër që përdor të njëjtën fjalë për të ilustruar shqiptimin e urrejtjes ndaj njërit apo tjetrit me: Shpërthime!

Në kohë paqeje, ne kemi krijuar një tokë të minuar me shpërthime virtuale urrejtje, pa menduar aspak se çdo shpërthim, përvec atij pranveror të natyrës, sjell vetëm dëme dhe varfëri rreth e qark.

Pavarësisht se mund të rezultojnë spektakolare në moment të parë, pavarësisht se shfaqja e çdo urrejtjeje lë pa fjalë edhe më të përgatiturin me skena të realizimit të saj, në të vërtetë, vetëm zhdukja e urrejtjes dhe shmangia e njerëzve urryes përqark, është më i bukuri art.

Prandaj, këtë pranverë, le të lemë hapësirë sa më shumë vetëm për shpërthimin e luleve, gjetheve, gurgullimën e lumenjve e këngën e zogjve. Shpërthimet e urrejtjeve le t’i lëmë në vetminë e tyre, heshtja dhe indiferenca jonë i bën të dëgjohen fare pak. Ose aspak.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?