Eduard Duro

Kronikë

U akuzuan se licencuan karburantin pa leje, kryebashkiaku i Devollit, Eduart Duro dhe 4 zyrtarët e tjerë marrin pafajësinë edhe në Apelin e GJKKO

6 Maj, 13:06| Përditesimi: 6 Maj, 13:17

  • Share

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit Eduard Duro. SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut socialist me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që të konvertohej në 3 vite shërbim prove si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.

Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht ish-administratoren e Komanduar të Bilishtit, Vojsava Bregu, 2 zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe sekretari i përgjithshëm Astrit Seferkolli.

Por, GJKKO vendosi të rrëzojë SPAK teksa ky i fundit ankimoi vendimin në Apel. Duro ishte marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, dhe akuzohej se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje.

SPAK e çoi dosjen për gjykim më 7 Dhjetor 2024 duke akuzuar Eduard Duro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me Astrit Seferkollin (Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Devoll), Gazmend Haxhijen dhe Gazmend Malon (zyrtarë të Sektorit të të Ardhurave dhe Licencimit) se licencuan pikën e karburantit në shkelje të ligjit edhe pse nuk plotësonte kriteret.  Për këtë objekt, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen që në vitin 2019, për shkak të mosrespektimit të kritereve ligjore.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?