Bota

U akuzua se ngacmoi seksualisht 11 gra, jep dorëheqjen guvernatori i New Yorkut

10 Gusht 2021, 22:23| Përditesimi: 11 Gusht 2021, 13:41

  • Share

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha se do të japë dorëheqjen për shkak të serisë së akuzave për ngacmim seksual në një rënie spektakolare nga pika kulmore e karrierës së tij një vit më parë, kur u përshëndet gjerësisht në shkallë vendi për njoftimet e tij të hollësishme të përditshme dhe udhëheqjen gjatë ditëve më të errëta të COVID-19.

Vendimi i guvernatorit demokrat që ka shërbyer për tre mandate, i cili do të hyjë në fuqi pas dy javësh, u njoftua ndërsa po shtoheshin përpjekjet në legjislaturën e shtetit të Nju Jorkut për ta shkarkuar atë. Vendimi erdhi pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që zbuloi se guvernatori Cuomo kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.

Hetuesit thanë se ai i detyronte gratë për puthje të padëshiruara; i prekte në mënyrë të papërshtatshme; bënte batuta për pamjen e tyre dhe jetën e tyre seksuale; dhe krijoi një mjedis pune "të mbizotëruar nga frikë dhe kërcënimi".

‘Mënyra më e mirë që mund të ndihmoj tani është të tërhiqem mënjanë dhe të lejojë qeverinë t’i kthehet punës,’ tha zoti Cuomo në një konferencë shtypi.

Zëvendës-guvernatorja Kathy Hochul, një 62-vjeçare demokrate dhe ish-anëtare e Kongresit nga zona e Bufalos, do të bëhet guvernatorja e 57-të e shtetit dhe gruaja e parë që mban këtë post.

Skandali i epokës #MeToo ndërpreu jo vetëm një karrierë politike, por një dinasti: babai i Cuomos, Mario Cuomo, ishte guvernator në vitet 1980 dhe '90, dhe Andrew Cuomo shpesh përmendej si një kandidat i mundshëm për president, një post që babai i tij i famshëm mendonte të kërkonte. Edhe pse skandali u zgjerua, Cuomo po planifikonte të kandidonte për t’u rizgjedhur në vitin 2022.

Cuomo ende përballet me mundësinë e akuzave penale, me një numër prokurorësh në të gjithë shtetin e Nju Jorkut që kërkojnë ta hetojnë atë.

Vargu i akuzave që çuan në rënien e guvernatorit, filluan të shpalosen në lajme dhjetorin e kaluar dhe vazhduan për muaj të tërë.

Cuomo i quajti disa prej akuzave të fabrikuara, duke mohuar me forcë se kishte prekur ndonjë njeri në mënyrë të papërshtatshme. Por ai e pranoi se i kishte vënë disa nga ndihmëset e tij në siklet me komentet, që ai tha se ishin pa keqdashje dhe kërkoi falje për disa nga sjelljet e tij.

Ai i portretizoi disa nga takimet si keqkuptime që i atribuohen dallimeve "mes brezave ose kulturave", një referencë pjesërisht për edukimin e tij në një familje të dashur italo - amerikane.

Ndërsa fillimisht guvernatori Cuomo u shfaq sfidues për të mbajtur postin, ligjvënësit e shtetit filluan një hetim për shkarkimin e tij dhe pothuajse i gjithë institucioni demokratik në Nju Jork e braktisi atë-jo vetëm për akuzat, por edhe për shkak të njoftimeve se administrata e tij kishte fshehur mijëra vdekje nga COVID-19 në mesin e pacientëve të shtëpive të pleqve.

Hetimi për ngacmimet i urdhëruar nga Prokurorja e Përgjithshme dhe i kryer nga dy avokatë të jashtëm vërtetoi akuzat e grave dhe shtoi informacione të reja të hidhura. Publikimi i raportit e la guvernatorin më të izoluar se kurrë, me disa nga mbështetësit e tij më besnikë që e braktisën. Edhe Presidenti Joe Biden iu bashkua zërave që i bënë thirrje të jepte dorëheqjen./VOA

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?