Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për të pandehurin S.T. - pjesëtar i komunitetit serb, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Arrestimi i tij u bë me 15 dhjetor. Në kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e paraburgimit është thënë se S.T dyshohet se ka marrë pjesë në vepra që lidhen me keqtrajtim, maltretim, plaçkitje, vrasje të civilëve dhe shpërngulje me dhunë të banorëve të Vushtrrisë më 1999.
Më 16 dhjetor, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se i arrestuari është ish-polici serb, Sllagjan Trajkoviq.
“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës", ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Por kjo u hodh poshtë nga autoritetet e Prishtinës, duke deklaruar se bëhej fjalë vetëm për një serb të akuzuar për krime lufte dhe nuk kishte shërbyer në polici.