Kronikë

GJKKO lë në 'arrest në burg' Erion Veliajn, 'detyrim paraqitje' për gruan e tij Ajola e 5 biznesmenë! Kryebashkiaku, prokurorit Dado: E ke personale, erdhe 2 herë për leje ndërtimi! Çohet tek paraburgimi i Durrësit

12 Shkurt, 07:31| Përditesimi: 13 Shkurt, 00:30

  • Share

TIRANË- Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të vijojë të hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest në burg” për akuzën për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Ky është vendimi që mori në orët e vona të mbrëmjes së sotme, (12 shkurt 2025)  gjyqtari i GJKKO-së Erjon Bani pas 2 orëve në dhomën e këshillimit.

Gjyqtari pranoi të ndryshojë masën e sigurisë nga ‘arrest shtëpie’ në ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dy herë në muaj për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe i ndalohet të dalë jashtë Shqipërisë. Zonja Xoxa do të paraqitet në SPAK, të premten e parë dhe të tretë të çdo muaj, ora 11:00.

Në ‘arrest në burg’ do të vijojë të hetohet biznesmeni Elman Abule. Ndërkohë për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha masa është lënë 'detyrim me paraqitje' por ndryshe nga vendimi i parë nuk do të paraqiten një herë në javë para agjentëve të BKH-së por 2 herë në muaj. Seanca gjyqësore e cila nisi në orën 08:30 u ndërpre në mesditë për të vijuar më pas deri në orën 22:00 kur gjyqtari lexoi vendimin dhe kryebashkiaku Veliaj u transferua drejt paraburgimit të Durrësit. 

Çfarë u tha në seancën me dyer të mbyllura?

Report Tv dhe Shqiptarja.com zbardhi detaje nga seanca që vijon me dyer të mbyllura.  Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj akuzoi prokurorin Ols Dado për konflikt interesi dhe se hetimin ndaj tij e kishte kryer pasi kishte refuzuar t'i jepte lejen e dytë të ndërtimit. 

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu” mësohet të ketë thënë ai.

Më tej Veliaj tha se kishte punuar me përkushtim në krye të bashkisë së Tiranës madje duke sakrifikuar dhe familjen.

:Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot.

Sa i takon vilës në Qerret e cila është sekuestruar, Veliaj tha se nuk ishte e tyre

"Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes" mësohet të ketë thënë  Veliaj.

14 ore ne GJKKO 
Gjyqtari Erjon Bani dëgjoi për 6 orë (Ora 13:30 - 19:20) argumentet e palës mbrojtëse, dëshmitë e të akuzuarve por dhe argumentet e prokurorit Ols Dado dhe Altin Dumani, për tu tërhequr më pas për dy orë në dhomën e këshillimit nga ku doli në orën 22:00 me vendim. 

Avokatët mbrojtës kërkuan masë më të buta sigurie për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj duke ofruar garanci pasurore si dhe kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për Ajola Xoxën. Nga ana e tyre prokurorët, Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan lënien në fuqi të masave të sigurisë të marra nga ky gjyqtar më 9 shkurt 2025. 

Burime bëjnë me dije se në nisje të seancës dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë saktësuar se Veliaj nuk është person i dënuar. Kjo vjen, pasi në dosje, SPAK e prezantonte Veliajn si person të dënuar, por Shqiptarja.com siguroi edhe dokumentin e gjendjes gjyqësore të datës 11 shkurt 2025, ku thuhej se Veliaj nuk rezulton i dënuar. Prokurorët kanë thënë se ka qenë një gabim i regjistrit elektronik. 

Në seancë kanë qenë të pranishëm dhe kanë paraqitur argumentet e tyre 6 biznesmenët. 

Mbështetësit solidarizohen me Veliajn
Seanca ishte parashikuar të niste në 08:30, por u vonua me gjysmë ore pasi nuk kishte drita. Më pas seanca u shty për në 13:00, pasi avokatët kërkuan që të njihen me aktet hetimore, 6 fashikuj.Seanca nisi në orën 13:30 për tu mbyllur në orën 19:20 me përfundimin e argumenteve të palëve dhe dhe në orën 22:00 gjyqtari Erjon Bani dha vendimin

Kanë qenë dhjetra mbështetës të kryebashkiakut që u solidarizuan me të gjatë gjithë ditës sot. Në fillim ata shkuan para GJKKO në orën 08:30 minuta kur Veliaj u shoqërua nga Blloku i Sigurisë në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë. E njëjta skenë u shfaq dhe në orën 17:00 kur pritej të jepej vendimi. Dhjetra mbështetës kishte dhe në orën 22:00 kur u dha vendimi dhe makina e burgut transferoi Veliajn në paraburgimin e Durrësit. Ata vlerësojnë punën e kryebashkiakut për ndërtimin e Tiranës.

Për çfarë akuzohet Veliaj, Xoxa dhe biznesmenët?

Erion Veliaj i cilu u arrestua në zyrën e bashkisë së Tiranës më 10 shkurt 2025 akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. 
Sipas SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij.

SPAK thotë se Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek 5 biznesmenët ndaj të cilëve është caktuar masa detyrim me paraqitje. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro. 

Prokuroria e Posaçme thotë se Ajola Xoxa në 6 vite ka blerë online mbi 860 mijë euro veshje dhe bizhuteri, shpenzime të cilat nuk i ka deklaruar. SPAK sekuestroi vilën 494 m2 në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons e ndërtuesit Gentian Sula, 2 llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149  Euro dhe para të valutave të ndryshme me vlerë 115 mijë euro, të gjetura në një kasafortë, gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të Xoxës.

Prokurorë të dosjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.

Masat e sigurisë dhe akuzat
1- Erion Veliaj – Kryebashkiaku i Tiranës - Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash 
2- Ajola Xoxa – Bashkëshortja e Veliajt -  Ishte Arrest shtëpie u be 'detyrim me paraqitje" ; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie
3- Elman Abule - Biznesmen në Tiranë - Arrest me burg; Pastrim Parash
4- Gentian Sula – Biznesmen në Tiranë - Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
5- Meriman Palushi – Biznesmen në Tiranë - Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
6- Fatmir Bektashi -Biznesmen në Tiranë - Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv
7- Sokol Kryeziu  Biznesmen në Tiranë - Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv (masa nuk është ekzekutuar)
8- Shkëlqim Fusha Biznesmen në Tiranë -  Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv

Shenim: Për shkrimin raportoi nga GJKKO, Keti Banushi. Përgatiti online: Suela Alliu, Sibora Elezaj, Kol Marku, Artur Qoraj, Xhoana Kushi. 
Për detaje ndiqni lajmet në zhvillim.

Ora 22:56
Erion Veliaj mbetet në 'Arrest në burg', 'detyrim paraqitje' për gruan e tij, momenti kur Ajola Xoxa largohet nga GJKKO

Bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Tiranës Ajola Xoxa la e fundit ambientet e GJKKO-së, ndërsa nuk pranoi të jepte asnjë koment për gazetarët të cilët i bënë disa pyetje mes tyre dhe për blerjet online që sipas SPAK kapin vlerën e 800 mijë eurove.

Ora 22:30
VIDEO- GJKKO e la në 'arrest në burg'! Mbështetësit i dalin para furgonit që transportonte Veliajn drejt paraburgimit në Durrës

 

 

Simpatizantët dhe mbështetësit ishin para GJKKO-së kur mësuan vendimin e gjyqtarit Erjon Bani për të lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’. Madje në momentin kur makina e burgut ku ndodhej kryetari i bashkisë Erjon Veliaj mbështetësit I dolën para dhe për disa minuta penguan të lëvizte duke vendosur fletë të bardha në xhamin e parë të makinës.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi përmes një postimi në X kritikoi policinë se nuk mori asnjë masë

"Horri i bandave në krye të Policisë së Shtetit që lejon turmën e batakçinjëve të Bashkisë së Tiranës që të pengojnë makinat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe të korruptuarit Erion Veliaj të hyjnë e dalin lirisht nga GJKKO, duke refuzuar të marrë masat për të garantuar rendin publik" shkruan Bardhi.

Veliaj u transferua në paraburgimin e Durrësit.

Ora 22:09
GJKKO e la në arrest në burg, Veliaj do të transferohet në paraburgimin e Durrësit

1739394654_1739344388veliaj.jpg

Veliaj duke u transferuar nga Blloku i Sigurisë tek GJKKO, 12 shkurt 2025
 

Pas caktimit të masës së sigurisë 'arrest me burg' nga GJKKO, Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të transferohet në paraburgimin e Durrësit mëson gazetarja e Report Tv, Keti Banushi.

Ora 21:49
14 orë në GJKKO/ Zbardhet vendimi i gjyqtarit Bani: Lë në burg Veliajn, ndryshon masa ndaj Ajola Xoxës, i ndalohen daljet jashtë shtetit

GJKKO ka lënë në fuqi masën "arrest në burg" për kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa ka ndryshuar masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, nga "arrest shtëpie" në "detyrim paraqitje".

Kësaj të fundit i janë ndaluar daljet jashtë shtetit.

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë nisi në orën 08:30 dhe u mbyll në orën 22:00 të mbrëmjes së 12 shkurtit.  

Ora 20:52
‘Vila në Qerret nuk është e jona!’ Zbardhet dëshmia e Veliajt në GJKKO: Mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend se bëhet objekt sulmi

Zbardhet dëshmia e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë në GJKKO.

“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar.

Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes.

Në akt akuzë Prokuroria e Posaçme evidentoi se bashkëshortja e kryebashkiakut Ajola Xoxa në 6 vite kishte blerë online mbi 860 mijë euro veshje dhe bizhuteri, shpenzime të cilat nuk i ka deklaruar.

Në seancë prokurori  pretendoi se të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale, buzëkuq dhe bizhuteri.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 nga agjentët e BKH-së të cilët u shkuan në zyrë për ta shoqëruar më pas drejt bllokut të sigurisë në rrugën "Mine Peza' në Tiranë. 

Ora 20:32
Seanca në GJKKO/ Avokatët kërkojnë lirimin e Veliajt, ofrojnë garanci pasurore! Kërkojnë detyrim paraqitje për Ajola Xoxën

1739386613_xdfgtftfgtfgtfg.jpg

Foto:Ajola Xoxa ne ambientet e GJKKO-se, 12 shkurt 2025

Gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com, Keti Banushi mëson se në seancën e sotme për vlerësimin e masës së sigurisë avokatët kanë ofruar garanci pasurore për Erion Veliajn, për ndryshimin e masës së sigurisë 'arrest me burg' si dhe kanë kërkuar masën detyrim paraqitje për Ajola Xoxën.

Gjyqtari Erjon Bani që është tërhequr për të marrë vendim.

 

Ora 20:25
Mbështetës të Veliajt para GJKKO-së presin vendimin e gjyqtarit Erjon Bani (VIDEO)

Mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj janë mbledhur sërish para GJKKO-së në orën 20:00 ndërsa pritet vendimi i gjyqtarit Erjon Bani.

Biznesmeni Neriman Palushi është  filmuar duke dalë nga GJKKO.

1739388288_nerimanpalushi.jpg
 

 Foto: Meriman Palushi, një nga 6 biznesmenët e akuzuar në dosjen e Erion Velisë duke dalë nga GJKKO
Ora 19:21
Përfundon pas 6 orësh seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për Veliajn, Xoxën e biznesmenët! Gjyqtari Bani tërhiqet për vendim

Përfundon pas 6 orësh seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë, gjyqtari Erjon Bani tërhiqet për vendim. Të fundit që parashtruan argumentet e tyre ishte prokurori i SPAK

 

Ora 18:06
Luiza Gega në mesin e mbështetësve të Veliajt para GJKKO: E çuditshme mënyra si janë ngritur akuzat! Izmir Smajlaj: S'po protestojmë, po mbështesim kryetarin

Në mesin e mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj, para GJKKO-së, ka qenë dhe atletja Luiza Gega, bashkë me atltetin Izmir Smajlajn.

Kampionia shqiptare u shpreh se beson te organet e drejtësisë por theksoi se mënyra se si kjo veproi ishte e padrejtë, duke iu referuar arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë.

“Këto supozime më duken të çuditshme si janë bërë. Unë mendoj që drejtësia do vazhdoj punën e saj, i besoj drejtësisë, por nuk më pëlqen mënyra se si qasen gjërat”,-tha Gega.

“Nuk po protestojmë thjeshtë kemi ardhur këtu në mnbështetje të kryetarit”,- Izmir Smajlaj.

Ora 17:26
Mbështetësit e Veliajt para GJKKO, në solidaritet me kryebashkiakun e Tiranës edhe atletët Gega e Smajlaj! Bardhi i PD-së: Po i bëhet presion gjyqtarëve (VIDEO)

TIRANE- Dhjetra mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj u mblodhën pasditen e sotme para GJKKO-së ku prej orës 13:30 vijon seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për Erion Velinë, bashkëshorten e tij dhe biznesmenët.

Ata janë mbledhur në solidaritet me kryetarin e bashkisë Tiranë.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet se simpatizantët e kryebashkiakut Veliaj qëndrojnë në trotuarin para godinës së GJKKO në pritje të vendimit për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa.

Ata duartrokasin dhe thërrasin "Lali o hero, gjithë Tirana ty do'.  Në mbështetje të Veliajt dhe lirimit të tij ishin dhe dy atletët e njohur Luiza Gega dhe Izrmir Smajlaj.  Gega, e njohur për arritjet e saj në sport, u shpreh se beson në pafajësinë e Veliajt dhe vlerëson kontributin e tij në zhvillimin e Tiranës. 

“Unë mendoj që drejtësia do vazhdoj punën e saj, i besoj drejtësisë, por nuk më pëlqen mënyra se si qasen gjërat”,-tha Gega.

“Nuk po protestojmë thjeshtë kemi ardhur këtu në mbështetje të kryetarit”,- Izmir Smalaj.

Ndryshe nga protestat e PD-së para bashkisë ku policia vendoset gardh metalik tek GJKKO nuk ka pasur gardh por vetëm disa policë të cilët menaxhonin trafikun.

Për mbështetësit e Veliajt prezenca e tyre nuk është në formë proteste por solidaritet ndaj kryetarit të tyre.

Por Gazment Bardhi kreu i Grupit PD-së në një reagim thotë se mosprezenca e Policisë së Shtetit në grumbullimin e paligjshëm të punonjëve të Bashkisë së Tiranës në GJKKO dhe SPAK, është "një akt i paprecendent presioni nga pushteti”.

"I bëj thirrje punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit, që të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm dhe jenë në krye të detyrës, me përkushtim ndaj Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Edi Rama duhet të heq dorë menjëherë nga metodat kriminale të presionit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo shteti privat i mafiozit Edi Rama' tha Bardhi.

Ora 15:28
Zbardhen detaje nga seanca me dyer të mbyllura në GJKKO, Erion Veliaj - prokurorit Dado: E ke personale me mua, më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi

Zbardhen detaje nga seanca me dyer të mbyllura për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Erion Veliajt në GJKKO 

Kryebashkiaku i Tiranës i drejtohet Olsi Dados:

“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”.

Gjatë momentit që Veliaj ka mbajtur fjalën gjyqtari i Erjon Bani i ka tërhequr vëmendjen kryebashkiakut për tonin e zërit dhe ruajtjen e solemnitetit para gjykatës, mëson Report Tv.  

Ora 13:48
Helena Kadare në GJKKO për mbështetjen e kryebashkiakut të Tiranës: Erdha të ndjek Veliajn, më lini të hyj në seancë (VIDEO)

Në GJKKO mbahet seanca për verifikim të masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Mbështetës të shumtë ishin mbledhur para godinës së GJKKO, ndërsa tërhoqi vëmendjen prania e Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare.

Ajo u paraqit në GJKKO për të ndjekur seancën ndaj Veliajt, por seanca ishte me dyer të mbyllura. 

"Erdha të ndjek Veliajn, më lini në seancë”, mësohet t’i ketë thënë ajo gazetarëve dhe operatorëve të pranishëm në dyert e SPAK.

Ora 10:50
Seanca për Veliajn/ Dy prokurorët pranojnë gabimin: Nuk është i dënuar, ishte problem i regjistrit elektronik

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të njihet sot me masën e sigurisë, i arrestuar me urdhër të SPAK. Seanca nisi në 09:00, po u shty për në 13:00 pasi avokatët kërkuan të njihen me aktet hetimore.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se në nisje të seancës dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë saktësuar se Veliaj nuk është person i dënuar.

Kjo vjen, pasi në dosje, SPAK e prezantonte Veliajn si person të dënuar, por Shqiptarja.com siguroi edhe dokumentin e gjendjes gjyqësore të datës 11 shkurt 2025, ku thuhej se Veliaj nuk rezulton i dënuar.

Ky saktësim është bërë edhe në seancë nga dy prokurorët, të cilët kanë thënë se ka qenë një gabim i regjistrit elektronik.

 

Vërtetimi i gjendjes gjyqësore të Kryebashkiakut siguruar nga Shqiptarja.com
Ora 10:38
Masa e sigurisë në GJKKO, një grua kalon gardhin e sigurisë nga pjesa e Burgut dhe hyn në oborrin e SPAK! Siguria e nxjerr jashtë, shoqërohet në Polici (VIDEO)

 

Teksa sot po mbahet vlerësimi i masave të sigurisë në GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe të tjerët, një grua tentoi të hyjë në SPAK, nga ana e Burgut.

Por ndërhyrja e punonjësve ka qenë e menjëhershme dhe u mor nga siguria.

Mësohet se ajo prej kohësh del në protesta dhe dyshohet vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ora 09:42
Ndërpritet seanca për konfirmim të masës për Veliajn e të tjerët, avokatët kërkojnë kohë për njohjen e dosjes! Rifillon në 13:30

1739344388_veliaj.jpg

Është ndërprerë seanca për konfirmim të masës për Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 5 biznesmenët.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com, Keti Banushi avokatët kanë kërkuar kohë për njohjen e dosjes.

Seanca e cila nisi rreth 30:00 minuta me vonesë do të rifilloj në orën 13:30.

Ora 08:52
Masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe të tjerëve, GJKKO pa drita! Seanca nuk ka nisur ende, vendoset në punë gjeneratori

1739344426_mbeshtetesteveliaj.jpg

Në pritje të masës së sigurisë në GJKKO

Teksa ishte paralajmëruar për t’u zhvilluar në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm (12 Shkurt), seanca e vlerësimit të masës së sigurimit në GJKKO nuk ka nisur ende.

Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, informon se shkak për vonesën është bërë fakti se në godinë nuk ka energji elektrike.

“Seanca nuk ka nisur ende, se në gjykatë nuk ka drita”, informon ajo. Në këto rrethana, është vendosur në punë gjeneratori i institucionit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj është transferuar nga Blloku i Sigurisë për në GJKKO për masë sigurie dhe ndodhet brenda ambienteve të institucionit.

Ora 08:39
Në hetim për çështjen Veliaj, biznesmeni Bektashi mbërrin në GJKKO

Biznesmeni Fatmir Bektashi ka mbërritur në GJKKO për verifikimin e masës detyrim paraqitjeje caktuar ndaj tij në çështjen e Erion Veliajt.

Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv, ndërsa i pandehur është marrë edhe në dosjen e aferës Partizani.

Ora 08:37
Masa e sigurisë, biznesmeni Gentian Sula mbërrin në GJKKO: Më vjen keq që lodheni që në mëngjes

 

Bizesmeni Gentian Sula ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme ku dhe do të mbahet seanca për masën e sigurisë.

“Më vjen keq që lodheni që në mëngjes, tha Sula për gazetarët teksa po hynte në ambientet e GJKKO-së.

Ora 08:35
Sot seanca për masën e sigurisë, mbështetës të Veliaj mblidhen para GJKKO (VIDEO)

 

Qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Tiranës janë mbledhur sot pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. 

Mbështetësit kanë shprehur solidaritetin e tyre ndaj Veliajt, duke e konsideruar atë një figurë kyçe në zhvillimin e kryeqytetit dhe një lider që ka punuar për transformimin e Tiranës. Ata kanë brohoritur në shenjë përkrahjeje, ndërsa theksuan se proceset ligjore nuk duhet të përdoren për qëllime politike. 

Ora 08:24
Masa e sigurisë/ Ajola Xoxa mbërrin në GJKKO e shoqëruar nga efektivët e Policisë (VIDEO)

Ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për masën e sigurisë edhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, ndaj të cilës SPAK dhe GJKKO kanë vendosur masën “arrest shtëpie”, për të njëjtën dosje penale.

Në pamje shihet Xoxa teksa shoqërohet nga dy efejktivë policie të Tiranës, një prej tyre femër, sipas Procedurës Penale kur një person është në masë arresti shtëpiak dhe hyn brenda godinës teksa mban edhe një çantë shpine.

Xoxa është shfaqur e qetë në hyrje të godinës dhe nuk dha deklaratë për mediat.

Ora 08:14
Veliaj del nga Blloku i Sigurisë dhe dërgohet drejt GJKKO, mbështetësit mblidhen para Gjykatës së Posaçme (VIDEO)

Këto janë pamjet e daljes së makinën së shoqërimit nga Blloku i Sigurisë te “Mine Peza” dhë dërgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për masën e sigurisë në GJKKO.

Po kështu edhe pamjet nga pjesa e pasme e GJKKO-së ku do mbahet masa, teka janë mbledhur dhjetëra mbështetës të qytetarit të parë të Tiranës, për t’i dhënë mbështetjen morale pas arrestimit nga SPAK tre ditë më parë.

SI.E./S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Roki: 12/02/2025 20:17

    Shif si është bërë politika pozitë opozitë, me gjithë sistemin e drejtësisë, Pazar lejesh ndërtimi dhe pasurish të paluajtshme, pastrim parash nga të gjitha palët. Të ndarë nën një pushtet të grabitjes së Shqipërisë e shqiptarëve.

    Përgjigju
  • Karapici: 12/02/2025 18:57

    Po debatohet forte e me tone te ashpra, Bani duket i lekundur ne vendimin e tij. Vendimi mund te rezohet...te presim

    Përgjigju
  • Erion: 12/02/2025 15:51

    pyte pak nji nga ata prokuroret Aldion Baze merob azes a vjedh bitkoina te amfja

    Përgjigju
  • shaban: 12/02/2025 15:41

    cjane keta qe i bejne presion gjykates e nuk kane besom te drejtesia? a jane protesta pa leje dhe policia duhet te garantoje qetesine publike.

    Përgjigju
    • Po: 12/02/2025 15:57

      Ku i pe protestat ti? Pe njeri te merrej me prokuror e gjykates? Apo I ngaterron me barbaret e Saliut qe cjerrin bythe me thonj poshte ballkoneve e dyherve te gjykatave? E ka votuan 3 her populli i Tiranes ne shumice derrmuse normale qe ka njerez qe duan ti gjenden pran. Me mire njerez si Helena Kadare se barbaret e Saliut.

  • lala: 12/02/2025 15:41

    shume ju paska pagu Lali Eri, mjere ky popull sa vidhet, me bast qe edhe diten kur eshte arrestu e ka dhene nje leje ndertimi e ka kollofit 20% e famshem

    Përgjigju
    • Kot: 12/02/2025 22:40

      Po Pra ate 20% per ato rrug e shkolla apo behen vet ato.rrini aty ne kafe nuk boni asnje pun dhe cani kaptinen

  • Koherenca: 12/02/2025 08:48

    Keto quhen mbeshtetes, ato te tjeret militante, A ka njeri ne pune ne bashki sot apo eshte pushim?

    Përgjigju
    • lexues: 12/02/2025 11:54

      aaaa keta jane ndryshe, keshtu dole dhe per Sajen pastaj harruan, po sa veta marin leket kot ne bashki, patjeter qe do dalin

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?