Arrestimi i kreut të 'Klanit Duka' në Bruksel, Leonard Duka u kap me armë zjarri dhe një sasi parash në banesë! Policia shqiptare e zbuloi ku fshihej, njoftoi atë të Belgjikës

17 Shkurt 2023, 10:12| Përditesimi: 17 Shkurt 2023, 15:04

  • Share

14 shkurtin e këtij viti, Leonard Duka, rivali më i madh i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, me shumë mundësi e kishte planifikuar ta festonte me bashkëjetuesen e tij në një apartament në një provincë të Brukselit. Por, për të kundërtën u kujdesën autoritetet belge, të cilat sa hap e mbyll sytë zbarkuan që në orën 06:00 të mëngjesit në banesë dhe e arrestuan.

Sipas burimeve, 37-vjeçarit, që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit si autor i dyshuar i vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019, iu gjend armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka, kur e pa veten të rrethuar dhe pa asnjë mundësi arratisje, nuk bëri rezistencë dhe iu dorëzua policisë belge pa shumë zhurmë.  Ai u mbajt nën vëzhgim nga policia belge për disa ditë, derisa u bindën se kishin të bëjnë me të njëjtin person që homologët e tyre shqiptarë kishin lokalizuar më herët.

Leonard Duka është arrestuar me efekt ekstradimi drejt Tiranës, por një gjykatë belge do të vendos për fatin e ardhjes së tij në Tiranë, procedurë e cila do të zgjasë disa javë për shkak të së drejtës së ankimit. Në raste të ngjashme në të kaluarën, Belgjika nuk ka refuzuar ekstradim personash të këtij niveli kriminal dhe ardhja e Dukës në Tiranë është thjesht çështje kohe. Eliminimi i Santiago Malkos mendohet se ka ardhur pas konflikteve të klanit “Duka” me të zhdukurin Ervis Martinaj për territorin e lojërave të fatit, konflikt i nisur pas një miqësie të fortë, për të cilin në burg është vetëm polici Jeton Lami për të cilin hetimet janë mbyllur.

Marrja peng dhe dhunimi nga Martinaj i babait të Leonard Dukës ishte pika e kthesës, e cila kërkoi hakmarrje nga klani “Duka”. Në pamundësi për të eliminuar Martinajn, dyshimet e autoriteteve janë se Leonard Duka dhe grupi i tij i vranë një ndër njerëzit e tij më të afërt.

Më 17 janar, GJKKO nisi gjyqin ndaj 6 të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos. SPAK kishte mbyllur hetimet për grupin e konsideruar si 'Klani Duka' që në korrik të vitit 2021, por gjykimi ndaj tyre ishte pezulluar sepse janë të gjithë në arrati dhe askush i arrestuar. Në proces po gjykohen Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj (të gjithë në mungesë dhe të pakapur nga policia, përveç Leonard Dukës që u arrestua sot), të cilët akuzohen të gjithë për vepra të tilla si "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal" "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", të gjitha në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2019 kur në Rrugën "Xhanfize Keko" në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri polici Santiago Malko. Për këtë vrasje është duke u zhvilluar paralelisht një tjetër proces ndaj të dy të pandehurve Ilir Selmani dhe Elvis Gaci, ndërsa më parë është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta. Leonard Duka, Oltjan Loga dhe Dritan Agaj akuzohen edhe për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa, Oltjan Loga ka edhe një akuzë për arratisja nga burgu.

Si ndodhi ngjarja
Vrasja e Santiago Malkos
 më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?