DASH u kërkoi autoriteteve serbe për një process ligjor e transparent pas arrestimit në Merdarë të Tefik Mustafës, nën dyshimet se ka kryer krime lufte në vitet ’90. Një gjykatë në Beograd vendosi ndaj tij 30 ditë paraburgim.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Mustafa dyshohet se si anëtar i UÇK përmendet në deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë. Ministria e Jashtme e Kosovës e konsideroi ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe kërkoi ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, nën pretendimet se kanë kryer krime gjatë periudhës së luftës në vitet1998-99. Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë për arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.